Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në fjalim e mbajtur në Akademinë përkujtimore për viktimat e masakrës se Reçakut, ka folur edhe për Gjykatën Speciale.
Ai tha se kjo gjykatë është një sfidë e pashmangshme, por e tejkalueshme. Sipas tij, Specialja është betejë që duhet fituar, ngase e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë.
“Nuk ka drejtësi ndërkombëtare aty ku synohet të vendoset barazimi në mes agresorit dhe viktimës. Nuk ka drejtësi aty ku tentohet të vendoset barazimi në mes një ushtrie gjenocidale dhe një lëvizje çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet unike në pastërtinë e kauzës dhe luftës së saj”.
“Çdo përpjekje që përmes Gjykatave të deformohet karakteri i saj, paraqet një sfidë të madhe për të gjithë ne. Tanimë para nesh kemi një sfidë të pashmangshme, por të tejkalueshme. Sfida e Gjykatës Speciale është një betejë që duhet ta fitojmë, sepse e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë”, ka deklaruar Veseli.
Veseli, tha se nuk mund të ketë drejtësi ndërkombëtare, pa drejtësi për Reçakun.
“Masakra e Recakut është turpi i drejtësisë ndërkombëtare. Janari është muaj i dhimbjeve të mëdha, fshatit të Reçakut të martirizuar për lirinë e Kosovës. Vitet po kalojnë por kujtimi dhe përmasat e asaj dite nuk do të harrohen kurrë. Vetëm edhe nj muaj festojmë dhjetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës”.
“Beteja e drejtësisë për Reçakun nuk kanë përfunduar. Serbia mos ta provon të kthehet se më nuk do të ndalemi deri në Nish. Ky vend do të qëndrojë i lirë i pavarur dhe sovran. Çdo cenim do të marrë përgjigjen e merituar të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë”.
Fillimisht Veseli, ka bërë homazhe në kompleksin përkujtimor në Reçak, për të kujtuar viktimat e njërës prej masakrave më të mëdha gjatë luftës në Kosovë.