Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takime të ndara ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, ambasadorin e Italisë, Piero Cristoforo Sardi dhe atë të Sllovenisë, Bojan Bertoncelj.
Ambasadorët e uruan kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për zgjedhjen edhe për një mandat në krye të legjislativit të Kosovës. Ata konfirmuan përkushtimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin e shteteve që përfaqësojnë me Kosovën dhe përkrahjen e vazhdueshme në të gjitha fushat.
Kryeparlamentari Veseli vlerësoi lart mbështetjen e Francës, Italisë dhe Sllovenisë për Kosovën në faza të ndryshme, duke theksuar nevojën e vazhdimit të kësaj përkrahjeje edhe në të ardhmen, si në afirmimin e mëtejmë ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, ashtu edhe në forcimin e demokracisë së brendshme dhe zhvillimin ekonomik.
Kreu i Kuvendit konfirmoi aspiratat euro-atlantike të shtetit të Kosovës dhe kultivimin e fqinjësisë së mirë, në funksion të forcimit të paqes dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm rajonal.