Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot disa bashkëluftetare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilat ka biseduar për iniciativat e tij kundër korrupsionit dhe gjendjen e përgjithshme në vend.
Ai vlrësoi kontributin e jashtëzakonshëm të tyre për lirinë dhe shtetin e Kosovës.
Veseli në një postim në facebook thekson se tani i gjithë angazhimi do të jetë lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit për të mundësuar shanse të barabarta.
Ky është postimi i tij i plotë:
E fillova mëngjesin sot me bashkëluftëtaret e mia nga koha e luftës. Ishte kthim në kohë biseda me gratë në uniformë të UÇK-së, të cilat kanë dhënë një kontribut vendimtar, por nuk e kanë marrë kurrë lavdinë që e meritojnë.
E theksuam njëzëri se ky nuk është vendi për të cilin kemi luftuar, që fëmijët tanë të largohen për shkak të mungesës së perspektivës.
Do të angazhohem me tërë fuqinë time për të luftuar korrupsionin dhe nepotizmin, që të ndërtojmë një të ardhme më të mirë në Kosovën tonë.
Për një ekonomi të lirë dhe të bazuar në mundësi të barabarta për të gjithë. Së bashku, sikurse ishim në luftë, do të jemi edhe sot kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Fituam atëherë, do të fitojmë edhe sot.