Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme politike, duke i cilësiar si inate dhe manipulime që lëndojnë besimin e qytetarëve në shtetin e Kosovës.
Veseli ka ftuar të gjithë për bashkim në betejën e fundit politike kundër Serbisë, duke i lënë anash demonstrimet politike.
“Sot nuk fitoi asgjë Kosova. Sot humbën qytetarët e saj, u lëndua besimi i tyre në shtetin e Kosovës. Sot fituan inatet kundër njëri tjetrit dhe manipuluesit politikë. Një gjë duhet ta ketë të qartë secili: Kosova, sovraniteti i saj, integriteti i saj territorial, kufijtë e saj, veriu i saj, nuk mbrohen me demonstrime të rrejshme patriotike kundër njeri tjetrit. Duhet të marrë fund kjo politikë e mbrapshtë, që prodhon situata manipuluese dhe të rrezikshme për vendin, të tilla si të ditës së sotme.
Ka vetëm një mënyrë për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve dhe vetë shtetin e Kosovës : duke qëndruar të bashkuar përballë Serbisë. Rrugët tjera e kanë një emrues të përbashkët: dështimin dhe dëmtimin e shtetit. Pa asnjë dilemë!”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.