Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Prishtinë ka filluar punimet Konferenca e Teknologjisë Informative KOSICT.
Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryeparlamentari Veseli theksoi edhe njëherë përkushtimin e tij për të qenë në krah të të gjitha iniciativave që lidhen me Teknologjinë Informative, përkatësisht inovacionin dhe kreativitetin.
Duke e konsideruar këtë konferencë të një rëndësie të veçantë, Veseli tha se kjo është edhe një dëshmi e kualitetit të jashtëzakonshëm që rinia e Kosovës posedon në këtë fushë, duke marrë përgjegjësi dhe luajtur rolin e saj në shoqëri.
Zhvillimi i kësaj fushe, shtoi kryetari Veseli, lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.
“Jam i orientuar fuqishëm në përkrahje të këtij sektori dhe të çdo iniciative që mundëson zhvillimin e tij”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke përsëritur qëndrimin për vënien e Qendrës Protokollare në Gërmi në shërbim të Teknologjisë Informative.
Ndërsa, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se 2/3 e popullsisë janë nën moshën 35 vjeçare dhe 1/3 nën moshën 18 vjeçare, andaj vlerësoi se fusha e Teknologjisë së Informacionit është e një rëndësie të veçantë.
“Vendi ynë duhet ta zhvillojë shumë më shumë fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit Elektronik, se jemi të adaptueshëm ndaj kësaj fushe, se folim rrjedhshëm gjuhë të huaj, sidomos ato gjuhë të cilat sot mbulojnë pjesën më të madhe të botës”, u shpreh Stavileci.
Ai tutje tha se ata që e përcjellin vazhdimisht fushën e Teknologjisë së Informacionit konstatojnë se kjo fushë ka tejkaluar njerëzimin dhe kjo po vërtetohet çdo herë e më shumë.
“E ka thënë shumë më herët Ajnshtajni se ajo po bëhet mit i kohërave të sotme dhe që është vetë komunikimi edhe kjo po bëhet një realitet dhe nëse e shohim historikisht në tri revolucionet e kaluara industriale, i pari që është i lidhur me ujin dhe i dyti me energjinë elektrike, e shohim që i treti dhe i katërti, për herë të parë ka ndërlidhje të drejtë për drejtë me të parin”, u shpreh Stavileci.