Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka folur lidhur me idenë e presidentit të vendit, Hashim Thaçi për bashkëngjitjen e Preshevës, Medevegjës dhe Bujanocit me Kosovën.
“Presidenti është i gatshëm që të veprojë konform kompetencave të tij kushtetuese. Ai ka thënë disa herë se duhet të formohet Grupi Negociator i Kosovës në të cilin krijohen parimet bazë ku do të shkojmë në fazën finale dhe do të kemi qëndrim shumë dinjitoz të shtetit tonë, duke përfshirë edhe korrigjimin e kufijve, apo siç e quan ai [Hashim Thaçi] me dashamirësi bashkëngjitje e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën”.
“Sido që të jetë, qëndrimi i tij është cilido qëndrim që do ta ndërtojmë në Kuvendin e Kosovës”.
“Qëndrimi zyrtar i presidentit, e ka thënë edhe publikisht, është se do t’i bindet çdo qëndrimi që ka Kuvendi i Kosovës dhe do ta mbrojë Kushtetutën e Kosovës”.
Kryekuvendari në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë po ashtu se pozita dhe opozita duhet të ulen së bashku, për të krijuar një qëndrim të përbashkët.
“Përderisa nuk kemi qëndrim të saktë se çka mendon Vetëvendosja dhe LDK-ja, duhet të ulemi bashkërisht. Unë kam iniciuar edhe tryeza, madje edhe tani kur po flasim, jam në përpjekje që të ulemi bashkërisht dhe të krijojmë qëndrimin e përbashkët, pa krijuar konfuzion te qytetarët”.
“Është e domosdoshme që opozita për çështje që janë nacionale të jenë bashkërisht”.
“Për çështje politike mund te kemi dallime, edhe është shumë legjitime, po në çështjet që janë të natyrës kombëtare si territori, sovraniteti dhe dialogu me Serbinë është gabim fatal i opozitës që po i shkakton dëm Kosovës”.
“Jemi të gatshëm për çfarëdo formati të bisedimeve, të arrijmë te një qëndrim i përbashkët, Kushtetuta e Kosovës, mbrojtja e te arriturave dhe sakrificave dhe Asociacion me kompetenca ekzekutive që është sfida më e madhe”.