Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka folur sot për kalimin e tij nga turi i dëgjimit me qytetarët në një tur të ri por tani me ekspertë të ekonomisë.
“Fillimisht dëgjova popullin që të kuptoja më mirë shqetësimet e tyre dhe prioritetet e vendit tonë. Prandaj tani kam filluar turin e ri me ekspertë nga anembanë Kosova dhe ekspertë të huaj për të gjetur zgjidhjet më të mira për shqetësimet e qytetarëve dhe prioritetet e vendit tonë”, tha Veseli në emisionin e mëngjesit në RTK.
Lideri i PDK-së tha se gjatë gjithë javës ka diskutuar me ekspertë të shumtë për hapat që duhet të ndërmerren për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillim më të hovshëm ekonomik.
“Ne duhet të hapim vende të reja pune. Më lër ta theksoj edhe njëherë. Duhet të krijojmë sa më shumë vende të reja pune. Kjo është një urgjencë kombëtare, një prioritet i padiskutuar që më është bërë shumë i qartë nga turi i dëgjimit. Unë po dal nëpër Kosovë e po dëgjoj nga ekspertë këtë javë në mënyrë që të krijojmë një plan të saktë për të hapur vende të reja pune”, tha Veseli.