Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duket të jetë optimist për përkrahjen e presidentit të ri amerikan, Donald Trump, pasi e ka takuar atë gjatë Lutjeve të Mëngjesit, që u mbajtën në fillim të shkurtit në Washington.
Veseli sot ka publikuar një fotografi me Trumpin, duke u bërë lideri i parë shqiptar që takon presidentin e shtetit më të fuqishëm në botë.
Në një deklaratë para kamerës së Ekonomia Online, kryeparlamentari Veseli ka shprehur bindjen se me Trumpin president, Kosova do të finalizojë formalizimin e shtetësisë. Madje, ai bën një paralajmërim optimist: “Kosova do të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pikërisht nga përkrahja e ShBA-së dhe e këtij presidenti”.
Kreu i Kuvendit ka shpalosur detaje nga takimi i parë me presidentin e zgjedhur të Amerikës, gjatë Lutjeve të Mëngjesit. “Temë e takimit ka qenë përkrahja. Mesazhi i tij ka qenë se populli i Kosovës do ta ketë përkrahjen e ShBA-së dhe administratës së tij”.
“Kosova si shtet i pavarur dhe sovran dhe populli i Kosovës do të kenë përkrahjen e fuqishme të ShBA-së, të udhëhequr nga Trump si president. Kjo po konfirmohet çdo ditë nga kjo e fundit. Jam i sigurt se më një përkushtim dhe përkrahje të tillë Kosova gjatë këtij mandati presidencial do të ketë edhe momente më të larta, kulmimin formal të shtetit të Kosovës në pranimin e Organizatave të Kombeve të Bashkuara”.
“Me presidentin e vjetër Bush ka filluar një përkrahje për Kosovën. Që nga ajo kohë, në fillim të viteve 1990-të, me presidentin Clinton ka kulmuar liria e Kosovës, përkatësisht çlirimi. Me presidentin e ri, Bush, ka kulmuar shpallja e shtetit të pavarur dhe sovran; pastaj me presidentin Obama shtetbërja e Kosovës, për të ardhur, jam i sigurt në finalizimin e formalizimit të shtetit tonë, pranimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pikërisht nga përkrahja e ShBA-së dhe këtij presidenti – Donald Trump”, ka deklaruar Veseli.
Më tutje, kryetari i Kuvendit, njëherë lider i Partisë Demokratike, ka theksuar se populli i Kosovës dhe Kosova duhet të ndihet e bekuar, që si një vend i vogël të ketë një përkrahje të tillë.
“Është nder dhe privilegj, si përfaqësues i popullit tënd, të arrish të takosh presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të sapozgjedhurin president Donald Trump. Është nder dhe krenari, edhe më madhe për popullin tim, sepse unë kam shkuar si përfaqësues i popullit tim dhe në të njëjtën kohë pritja që më është bërë, më është bërë duke iu falënderuar edhe përkushtimit, përkatësisht orientimit pro-amerikan të popullit të Kosovës”.
Për këtë, ai e ka falënderuar administratën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Ka qenë një takim shumë mirënjohës për Kosovën dhe në të njëjtën kohë me mesazhe të qarta nga takimi me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahje në vazhdimësi, të përkrahjes edhe më të fuqishme për Kosovën nga ShBA-ja”.
“Ju e dini se ka pasur shumë dilema, ka pasur shumë thashetheme rreth përkushtimit, përkatësisht orientimit politik të administratës së re. Unë mund vetëm të konfirmojë atë çfarë kam marr si mesazh nga takimi me presidentin e ShBA-së, do të vazhdojë një përkrahje e fuqishme për Kosovën”, ka shtuar Veseli.
Ai ka shprehur bindjen se presidenti i ri amerikan e njeh popullin e Kosovës, e do popullin e Kosovës dhe do të përkrahë shtetin e pavarur dhe sovran. Sipas tij, këto janë mesazhe që kosovarët po i shohin çdo ditë nga administrata e re.