Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka uruar presidentin e ri të ShBA-së, Donald Trump, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të vendit për bashkëpunim të ndërsjellë me administratën e re.
Veseli, ka shpreh respekt dhe mirënjohje të madhe edhe për kandidaten Hillary Clinton, duke thënë se ajo çdo herë do të gëzojë respektin e shqiptarëve për kontributin e saj në të kaluarën.
Ky është postimi i plotë, i Veselit në facebook:
Me rastin e përfundimit të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dëshiroj të përgëzoj presidentin e zgjedhur, Z. Donald Trump për fitoren e arritur dhe i uroj sa më shumë sukses dhe mbarësi në detyrën e tij të rëndësishme. Po ashtu, shpreh respektin dhe mirënjohjen më të madhe për Znj. Clinton, e cila, pavarësisht nga rezultati i këtyre zgjedhjeve, fitoi zemrat e miliona njerëzve anembanë botës dhe gjithmonë do të gëzojë mirënjohjen më të madhe të shqiptarëve për kontributin e saj në të kaluarën. SHBA-të janë aleatët më të rëndësishëm të Kosovës dhe unë jam i sigurt që marrëdhëniet tona dypalëshe do të forcohen gjithnjë e më shumë dhe presim me kënaqësi që të bashkëpunojmë me presidentin e zgjedhur, Z.Trump dhe administratën e tij të ardhshme shtetërore. K.V.