Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, së bashku me kandidaten për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, kanë mbajtur sot takime elektorale me qytetarë e anëtarë të PDK-së, në Suhadoll, Koshtovë, lagjet Ilirida dhe Bair, ku shpalosën platformën zgjedhore dhe planet në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka vënë në pah veçoritë e lideres Valdete Idrizi, duke theksuar se ajo përfaqëson guximin, dijen dhe përkushtimin e lideres shqiptare.
“Valdetja ka të gjitha atributet që i duhen sot Lideres së Mitrovicës, i duhet një lidere që ndal degradimin e qytetit dhe ngrit mirëqenien e qytetarëve, i duhet një lidere që krijon vende të reja të punës me pushtetin lokal duke e bërë komunën e Mitrovicës tërheqëse për investitorët. Mitrovica, gjendja e këtij qyteti, ka nevojë për punën, përkushtimin dhe guximin e Valdete Idrizit” theksoi z. Kadri Veseli, duke shtuar se jo vetëm PDK përkrah fuqishëm Valdeten por edhe qytetarët e pjesëtarët e partive tjera, shoqatat dhe organizatat e ndryshme që tek personaliteti i saj, shohin ndryshimin për mitrovicasit.
Veseli ka theksuar se Valdetja është ndryshimi që më 19 Nëntor, e presin qytetarët e Mitrovicës.
“Ftoj qytetarët e Mitrovicës t’i thonë po ndryshimit, ndryshimit për të tashmen dhe të ardhmen e këtij qyteti emblematik që dikur ishte krenari e Kosovës, burim i dijes, kulturës, sportit në nivel vendi dhe në nivel ndërkombëtar”, theksoi z. Veseli dhe shtoi se personaliteti i saj, është ndryshimi që tashmë ka arritur te shumica e mitrovicasve.
“Gjithëpërfshirja, mundësitë e barabarta, çështjet prioritare të qytetarëve, krijimi i mundësive për vendet e reja të punës, subvencionimi i bizneseve ku në fokus janë të rinjtë dhe gratë, janë disa nga veçoritë e qeverisjes time lokale në Mitrovicë”, theksoi znj. Valdete Idrizi, duke shtuar se nuk do të lejoj as ndarje, as regjionalizim as përjashtim të dikujt nga të mirat që ofron komuna. Ajo ka ritheksuar se do të jetë kryetare e të gjithë mitrovicasve, pa dallim.
Në këto takime elektorale, merrnin pjesë dhe ministrat Bedri Hamza, Memli Krasniqi e Dhurata Hoxha, e figura të tjera të PDK-së.