Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur edhe formalisht procedurat për iniciativën për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.
Duke folur para përfaqësuesve të shoqatave të pagjeturve, organizatave të dala nga lufta, institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve tjera të pavarura, ka thënë se kriminelët serbë ende nuk janë gjykuar për mijëra krime dhe viktima në Kosovë.
“Po flasim për një Gjykatë Ndërkombëtare për krimet e shtetit serb, të paanshme, të domosdoshme. Një Gjykate Ndërkombëtare, e cila do të gjykojë dhe dënojë krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Këto krime qe arrijnë përmasat e gjenocidit. Janë qindra masakra të kryera nga ushtria serbe. Janë dhjetëra-mijëra civilë të vrarë, në mesin e tyre fëmijë e gra”.
“Janë mijëra femra të dhunuara dhe 1 milion shqiptarë të dëbuar nga Kosova, në një përndjekje të ngjashme me Holokaustin e hebrenjve. Ende, 20 vjet pas luftës, për këto masakra dhe krime nuk ka drejtësi. Sepse, Tribunali i Hagës e ka lënë të papërfunduar drejtësinë për masakrat e Serbisë në Kosovë”.
“Po ashtu, drejtësia ndërkombëtare në Kosovë ka dështuar krejtësisht. Për fat të keq, edhe ne vetë, si Kosovë, nuk kemi bërë sa duhet – për sa i përket dokumentimit të të dhënave dhe dëshmitarëve”, ka thënë Kryeparlamentari Veseli.
Ai po ashtu ka nxjerr në pah një statistikë zyrtare, tronditëse:
“Deri më tash, për krimet e luftës në Kosovë janë dhënë 189 vjet dënime për shqiptarët, ndërsa vetëm 29 vjet dënime për serbët. Kush ishte agresori këtu? Sikurse vë në dukje Profesor Paul Williams, në dëshminë e tij të para disa ditësh në Kongresin Amerikan, Serbia nuk ka pasur vullnet politik, nuk ka dhënë burimet e duhura dhe mekanizmat e duhur për mbrojtjen e dëshmitarëve për krimet e luftës të kryera nga Serbia”.
Sipas tij, deri në vitin 2018, Serbia për të gjitha krimet e kryera në Bosnje, Kroaci e Kosovë ka marrë vetëm 44 vendime, e ka dënuar vetëm 74 kriminelë.
“Ndërkohë që vetëm disa prej këtyre vendimeve kanë të bëjnë me Kosovën”, tha tutje Veseli.
Ai po ashtu theksoi se Gjykata Ndërkombëtare për krimet e Serbisë në Kosovë do të ngrihet, jo mbi urrejtje, pretendime, por mbi ngjarje (krime, masakra), njerëz dhe dëshmi reale.
“Mesazhi ynë është i qartë: Kosova po kërkon drejtësi për njerëzit e saj të vrarë, të masakruar e të dhunuar. Nuk pranon heshtje, as mohim. Dhe kjo drejtësi do të ndodhë. Serbia do të përgjigjet për këto viktima”.
“Mesazhi ynë për kriminelët, mohuesit e krimeve, qyqarët, që sot enden të lirë nëpër Serbi, po ashtu është i drejtpërdrejtë: Do t’ju zëmë të gjithëve dhe do t’ju vëmë në pranga. Keni kryer krime, sepse jeni qyqarë. Keni pasur frikë të përballeni me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e keni sulmuar popullatën civile. Do të na keni prapa edhe në gjumë”, ka thënë Veseli.
Fjalimi i plotë i Kryeparlamentarit Kadri Veseli:
Të nderuar të pranishëm Zonja dhe Zotërinj
Salla ku sot jemi së bashku është një vend ku janë marrë vendime të mëdha për Kosovën. Këtu është shpallur Kosova shtet i pavarur e sovran.
Është miratuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe janë nxjerrë qindra ligje për të mirën e shtetit dhe qytetarëve tanë. Edhe sot, nga ky takim, qëllimi ynë është i qartë dhe i drejtë. Ky Kuvend duhet të marrë edhe një nga vendimet e veta më të domosdoshme.
Iniciativën për një Gjykatë Ndërkombëtare, e cila do të gjykojë dhe dënojë krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë, duhet të ngritet dhe ne do ta bëjmë këtë. Për të nisur rrugën e së vërtetës për mijëra njerëz tanë të vrarë, të varrosur e rivarrosur, nëpër baza ushtarake-policore të shtetit serb, të masakruar e të ri-masakruar.
Një pjesë e këtyre viktimave civile të pafajshme janë kthyer në eshtra, pa një konkluzion të mirëfilltë të shkakut të vrasjes së tyre dhe pa një analizë se si janë vrarë dhe çfarë është bërë me ta, nëse u ishin marrë organet ose jo.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Po flas vetëm për viktimat e pafajshme civile, burra, gra, pleq, të rinj, prej tyre mijëra fëmijë të Kosovës – shqiptarë, të vrarë e të masakruar. Një drejtësi që është mohuar deri më tash. Një e vërtetë që përmes mosvënies së drejtësisë po tentohet të mohohet edhe si e vërtetë nga kryesit e tyre, shteti serb. Bëhet fjalë për krime e masakra që shteti serb ka kryer në mënyrë sistematike, të organizuar, me platformë e strategji politike dhe operacionale.
Nëse ne të gjallët nuk kërkojmë drejtësinë për to, atëherë rrezikojmë të barazohet viktima me xhelatin, në heshtjen dhe mohimin e këtyre krimeve. Ky Kuvend nuk do ta lejojë këtë dhe ka për obligim të marrë vendim që ta çojë deri në fund drejtësinë dhe kriminelët t’i vë para drejtësisë.
Ka obligim njerëzor, mbi të gjitha. Por, për skeptikët dhe kundërshtarët e kësaj ideje, edhe ata strategjikë e politikë, dua të them se pa drejtësi për këto krime, pa përgjigje, pa përgjegjës, pa pranim të fajit, është e vështirë të arrihet një paqe e qëndrueshme – që ne e duam, një fqinjësi e mirë – për të cilën ne angazhohemi, dhe një e ardhme e garantuar për Ballkanin Perëndimor, pa dhunë, konflikte dhe armiqësi.
Kosova ka marrë dhe do të marrë të gjitha obligimet e veta. Kemi krijuar Gjykatën Speciale dhe ky proces do të shkojë deri në fund. Nuk ka kthim nuk ka taktizime. Ne jemi krenarë me luftën çlirimtare të Kosovës. Jemi të bindur në pastërtinë saj. Po flasim sot për gjëra të ndara.
Po flasim për një Gjykatë Ndërkombëtare për krimet e shtetit serb, të paanshme, të domosdoshme. Një Gjykate Ndërkombëtare, e cila do të gjykojë dhe dënojë krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Këto krime qe arrijnë përmasat e gjenocidit. Janë qindra masakra të kryera nga ushtria serbe.
Janë dhjetëra-mijëra civilë të vrarë, në mesin e tyre fëmijë e gra. Janë mijëra femra të dhunuara dhe 1 milion shqiptarë të dëbuar nga Kosova, në një përndjekje të ngjashme me Holokaustin e hebrenjve. Ende, 20 vjet pas luftës, për këto masakra dhe krime nuk ka drejtësi.
Sepse, Tribunali i Hagës e ka lënë të papërfunduar drejtësinë për masakrat e Serbisë në Kosovë. Po ashtu, drejtësia ndërkombëtare në Kosovë ka dështuar krejtësisht. Për fat të keq, edhe ne vetë, si Kosovë, nuk kemi bërë sa duhet – për sa i përket dokumentimit të të dhënave dhe dëshmitarëve.
Po ashtu, më lejoni të nxjerr në pah një statistikë zyrtare, tronditëse: Deri më tash, për krimet e luftës në Kosovë janë dhënë 189 vjet dënime për shqiptarët, ndërsa vetëm 29 vjet dënime për serbët. Kush ishte agresori këtu? Sikurse vë në dukje Profesor Paul Williams, në dëshminë e tij të para disa ditësh në Kongresin Amerikan, Serbia nuk ka pasur vullnet politik, nuk ka dhënë burimet e duhura dhe mekanizmat e duhur për mbrojtjen e dëshmitarëve për krimet e luftës të kryera nga Serbia. Sipas tij, deri në vitin 2018, Serbia për të gjitha krimet e kryera në Bosnje, Kroaci e Kosovë ka marrë vetëm 44 vendime, e ka dënuar vetëm 74 kriminelë.
Ndërkohë që vetëm disa prej këtyre vendimeve kanë të bëjnë me Kosovën. Krejt këtë situatë është duke e shfrytëzuar Serbia, e cila në vend të kërkimit të faljes dhe distancimit nga kryesit e masakrave, është inkurajuar t’i mohojë ato dhe t’i mbrojë kriminelët.
Kjo sjellje e Serbisë është në logjikën e mirënjohur: krimi i padënuar është inkurajim për krime të reja. Ne nuk mund dhe nuk guxojmë të qëndrojmë indiferentë ndaj kësaj situate, ndaj këtij rreziku.
Ne do të veprojmë, si shtet dhe si komb. Të gjithë mekanizmat përkatës të shtetit, sistemi i drejtësisë, agjencionet, institutet, universitetet, shoqatat e të pagjeturve të luftës, mediat dhe shoqëria civile, do të veprojmë së bashku për të mbledhur faktet dhe dëshmitë që provojnë gjenocidin e kryer nga shteti serb në Kosovë.
Shpreh mirënjohjen ndaj Kongresit Amerikan për hapin e bërë lidhur me kujtimin e krimeve të kryera në Kosovë. Presim që së shpejti, edhe parlamente të tjera, të vendeve mike, t’i përgjigjen letrës që unë kam dërguar për të njohur dhe përkujtuar në mënyrë formale krimet e kryera nga shteti serb ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë.
Gjykata Ndërkombëtare për krimet e Serbisë në Kosovë do të ngrihet, jo mbi urrejtje, pretendime, por mbi ngjarje (krime, masakra), njerëz dhe dëshmi reale. Kjo Gjykatë është e domosdoshme.
Me angazhimin tonë gjithëpërfshirës, ne do t’ia dalim ta bëjmë të pashmangshme këtë Gjykatë. Mesazhi ynë është i qartë: Kosova po kërkon drejtësi për njerëzit e saj të vrarë, të masakruar e të dhunuar. Nuk pranon heshtje, as mohim. Dhe kjo drejtësi do të ndodhë. Serbia do të përgjigjet për këto viktima.
Mesazhi ynë për kriminelët, mohuesit e krimeve, qyqarët, që sot enden të lirë nëpër Serbi, po ashtu është i drejtpërdrejtë: Do t’ju zëmë të gjithëve dhe do t’ju vëmë në pranga. Keni kryer krime, sepse jeni qyqarë. Keni pasur frikë të përballeni me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e keni sulmuar popullatën civile. Do të na keni prapa … edhe në gjumë.