Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shkollës “Qamil Iljazi” në Kaçanik të vjetër, në të cilën do të ndjekin mësimet rreth 500 nxënës të këtij lokaliteti.
Në fjalën e tij para nxënësve, mësimdhënësve dhe qytetarëve të shumtë, kryeparlamentari Veseli ditën e sotme e konsideroi të veçantë për Kaçanikun e vjetër, pasi që, siç tha ai, sot po fillohet një shkollë e re, duke u siguruar kështu nxënësve kushte më të mira, për t’i përgatitur ata për sfidat të cilat Kosova i ka para vetes.
“Kosova ka shumë sfida, e më e madhja midis tyre është integrimi i të rinjve në tregun e punës, duke u hapur atyre perspektiva të reja dhe njëkohësisht duke e zhvilluar vendin”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Duke i uruar nxënësit për shkollën e re dhe duke i porositur ata që të mos harrojnë asnjëherë sakrificën e dëshmorëve, Veseli tha se kjo shkollë mban një emër të madh, emrin e njërit prej komandantëve më të suksesshëm dhe luftëtarëve më të mëdhenj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qamil Iljazit – Komandant Bardhit.
“Institucionet dhe ne politikanët e kemi obligim t’ju lëmë juve një Kosovë më të mirë, me të cilën ju do të jeni krenarë dhe të cilën ju do të vazhdoni ta ndërtoni e ta mbroni, ashtu siç ishte edhe ideali i dëshmorëve”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Ministri Bajrami pasi uroi nxënësit dhe mësimdhënësit, theksoi se vendimi për ndërtimin e shkollës është marrë para gjashtë muajve, kur edhe kishin realizuar një vizitë në objektin e vjetër të kësaj shkolle.
Ministri Bajrami tha se, ndjehet i kënaqur me rastin e vënies së këtij gurëthemeli, shkollë kjo e cila do të ofrojë kushte për mësimdhënie moderne.
“Përmirësimi i kushteve infrastruktorore është vetëm gjysma e punës për ngritjen e cilësisë, gjysma tjetër e punës na mbetet neve mësimdhënësve për të plotësuar këtë obligim kombëtar, të cilin Qeveria e Kosovës e ka vënë prioritet”, është shprehur Ministri.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i komunës së Kaçanikut, z. Besim Ilazi, i cili ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për investimet që po bëjnë në këtë komunë.
Në këtë shkollë vijojnë mësimin mbi 470 nxënës, me të cilët punojnë rreth 30 mësimdhënës.