Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ditën e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit e ka vizituar Prizrenin, ku ka vizituar Këshillimin e Bashkësisë Islame, raporton Ekonomia Online.
“Ditën e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit vendosa ta kaloj në Prizren, i cili shquhet për traditën e pasur të jetës fetare. Vizitova Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren për të uruar mulla Fetah Begollin ,kolegët e tij, e nëpërmjet tyre të gjithë popullin e Prizrenit, për fillimin e këtij muaji të madhërishëm”, tha Veseli.
Ai ka thënë se hoxhallarë si mulla Fetahu i kanë prirë popullit në luftën çlirimtare kundër pushtuesve dhe po vazhdojnë të prijnë në luftën kundër Coronavirusit.
“Së bashku ripërsëritëm nevojën e shtimit të kujdesit dhe vetë-disiplinës gjatë këtij muaji, për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit. Udhëzimet për distancë sociale nuk duhet ta dobësojnë frymën e Ramazanit. Përkundrazi, duhet t’i kemi nxitje për më shumë kujdes për veten e njeri-tjetrin; më shumë solidaritet për të moshuarit, fëmijët, skamnorët dhe këdo tjetër që është në nevojë e kërcënohet më së shumti nga pandemia”, tha Veseli.
Ai i ka uruar besimtarët në këtë muaj të shenjtë dhe ka uruar sa më shumë forcë për tu përballur me pandeminë.
“Uroj që ky muaj t’iu japi besimtarëve të Prizrenit e atyre të mbarë Kosovës, sa më shumë lumturi e begati si dhe sa më shume energji e fuqi për t’u përballur me këtë situatë të vështirë të pandemisë”, shtoi Veseli.