Veseli viziton pyjet dhe xhaminë që u dogjën në fshatrat e Drenasit

Prishtinë | 20 Pri 2020 | 16:40 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Drenas, me ç’rast ka vizituar fshatin Baicë, ku janë djegur qindra hektarë pyje dhe fshatin Vërboc ku është djegur xhamia, raporton Ekonomia Online.

I shoqëruar nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, Veseli ka thënë se këto male janë sinonim i luftës dhe duhet të mbrohen.

“Sa i për informim të opinionit publik, ambienti ku jemi nuk është vetëm i bjeshkëve por është monument i lirisë, atje lartë mbrojtja e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, vendi ku kanë qëndruar heronjtë tanë të lirisë sonë. Është shumë me rëndësi që t’i mbrojmë këto male, keni parasysh se sa gjallesa janë djegur dhe janë këta njerëz që po e rrezikojnë jetën e tyre”, tha Veseli.

Ndërsa kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë apel tek qytetarët që mos të ndezin zjarre.

“Ne sot jemi në bjeshkët e Baincës, Obrisë dhe Tërdercit për të parë dëmin e madh nga zjarrvënia e njerëzve të papërgjegjshëm. Ne kemi bërë apel që t’i ruajmë pyjet tona sepse nëse ne i ndezim, nuk i bëjmë dëm një njeriu apo një lagje por gjithë ambientit dhe vendit tonë, prandaj ne apelojmë që mos të ndezim zjarre”, tha Lladrovci.

Vizitën Veseli e vazhdoi edhe tek xhaminë e fshatit Verbovc, ku dje është djegur e tëra. Krahas saj, kjo xhami është e një periudhe trashëguese mbi 500 vjeçare.

“Jemi në shtëpi të Zotit, në një tempull të faljes para Zotit, ku bashkëkombësit tanë janë lutur por,  në të njëjtën kohë edhe strehë e atdhetarizmit. Kjo xhami mbi 5 shekuj histori është edhe dëshmitare e të gjitha zhvillimeve historike që i ka kaluar kombi ynë. Jemi në një fshat ku ka ndodhur një ndër masakrat më të mëdha në tërë Kosovën. Mesazhi është ky: do t’i mbrojmë monumentet tona historike siç është kjo xhami dhe është lajm i mirë se ka shumë ndërmarrës që këto kushte të rënda të pandemisë, kanë shprehur gatishmërinë për të rinovuar këtë xhami”, tha Veseli.

Kryetari i bashkësisë islame në Drenas, Valon Bequku, ka falënderuar Veselin për këtë vizitë, duke thënë se është lideri i parë që ka vizituar këtë xhami pas djegies së saj.

“E falënderoj Kadri Veselin për shqetësimin që e shfaqi, është i pari që ka vizituar këtë vend. Është prej objekteve më të vjetra në Drenicë, e kam fjalën si objekt fetarë dhe kanë kaluar 545 vite që ky objekt është ndërtuar dhe ka një histori lufte, ku shumë luftëtarë janë strehuar dhe kanë kryer obligimet e tyre, për arsye se edhe malin e kishin afër”, tha ai.

E krejt në fund, kreu i PDK-së vizitoi edhe një fermer të këtij fshati, i cili merrej me kultivimin e bagëtive dhe bletëve. Pronari i saj, ka falënderuar Veselin për këtë vizitë.

“Sa më shpejtë të veprojmë në pakon e rimëkëmbjes, në mënyrë që 280 mijë punonjës të sektorit privat, 70 mijë ndërmarrës privat që gjitha këtyre fermereve t’iu dalim në ndihmë dhe kemi me pas më lehtë në kalimin e situatës së pandemisë, për faktin se përveç aspektit shëndetësorë, më tepër Kosova duhet të përgatitet në aspektin socio-ekonomik”, ka thënë Veseli.

Endrit Gllareva fermer nga ky fshat  tha se nuk kanë marrë mbështetje nga institucionet.

“Jam fermer i ri këtu, kam 20 krerë lopë dhe 5 viça dhe merrem me përpunimin e qumështit. Kam edhe 20 copa bletë. Nuk kemi marrë përkrahje nga institucionet. Vizita e Veselit është shumë e mirë dhe na jep një far përkrahje neve si fermer”, tha ai.

Fotografia e Komuna e Drenasit
Fotografia e Komuna e Drenasit

Të ngjashme