Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilçim Kiliç, e cila po merr trajtim në Qendrën Emergjente në Prishtinë, pasi ishte e përfshirë në një aksident, sot pasdite, në rrugën Prishtinë – Gjilan.
Tre kosovarë kanë humbur jetë dhe dy të tjerë janë lënduar në aksidentin që ndodhi rreth orës 17:00 në afërsi të Mramorit.
Veseli iu ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa ambasadores i ka uruar shërim të shpejtë.
“Me shumë keqardhje morra lajmin për vdekjen e tre personave në një aksident në rrugën Prishtinë – Gjilan. Ngushëllime familjarëve dhe miqve të atyre që humben jetën, ndërkaq të lënduarve, në mesin e tyre edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilçim Kiliç, të cilët edhe i vizitova në Qendrën Emergjente, shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Veseli në Facebook.