Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mori çmimin për meritat në lidership dhe shërbim ndaj komunitetit, nga Universiteti i Sheffield – Dega e Selanikut, në një ceremoni të organizuar sot në Prishtinë.
Para studentëve, ish-studentëve dhe drejtuesve të këtij institucioni arsimor, kryeparlamentari Veseli falënderoi Universitetin e Sheffieldit për titullin e akorduar dhe për mundësinë që u ofrohet të rinjve nga Kosova të studiojnë në bankat e këtij universiteti.
Më pas, kryetari Veseli foli për nevojën e ngritjes së kapaciteteve arsimore në Kosovë, si parakusht për zhvillim të hovshëm ekonomik. Ai tha se Kosovës sot i duhet një transformim i fuqishëm ekonomik, i cili do t’i mundësonte asaj zgjidhjen e një varg problemeve që vijnë si pasojë e papunësisë.
“Si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ndihem aspak krenar që Kosova ende ballafaqohet me papunësi të madhe të rinisë së saj dhe me probleme të varfërisë”, theksoi kryetari Veseli.
Ai iu bëri thirrje të rinjve që të jenë më aktivë në fushat ku veprojnë dhe të marrin përgjegjësi për zhvillimin dhe përparimin e vendit.
Në këtë mbrëmje merrnin pjesë dhe studentë të diplomuar në Universitetin e Sheffieldit në Selanik. Rektori Yannis Ververidis tha se deri më tani në këtë universitet i kanë ndjekur studimet rreth 200 studentë nga Kosova, shumë prej të cilëve tashmë mbajnë pozita kyç, si në politikë ashtu edhe në fusha të tjera.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se Kosova është një vend që ka potenciale. “Potencialet e këtij vendi janë të rinjtë, kjo rini e shkëlqyeshme, e cila meriton një perspektivë më të mirë, meriton një të ardhme më të mirë. Dhe ne të gjithë po punojmë që këtë të arrijmë”, tha Bajrami.
Me këtë rast u ndanë dhe mirënjohje për studentë të studentë të dalluar.