“Rita Ora festoi Ditën e Pavarësisë së Kosovës të mërkurën ndërsa pozoi me veshje tradicionale për të shënuar rastin vjetor”, kështu e nisi shkrimin e përditshmja britanike DailyMail, referuar artistes shqiptare me renome botërore.
Këngëtarja 30 vjeçare u lajmërua në Instagram dhe ndau me fansat një seri fotografish në veshje kombëtare, të cilat ajo i veshi për klipin e saj të fundit “Big”.
Muzikantja lindi në Prishtinë, në ish-Jugosllavi, nga prindër shqiptarë, të cilët u zhvendosën në Londër një vit pasi Rita lindi për shkak të persekutimit të shqiptarëve, shkruan tutje DailyMail.
Veshja mbresëlënëse e Ritës përbëhej nga një fustan i zi me mëngë të gjata me qëndisje prej ari dhe një pëlhurë me rripa të palosur.
Interpretuesja e shumë hiteve kishte veshur një këmishë të bardhë me geta të përshtatshme së bashku me shall të kuq përmbi kokë.
Rita gjithashtu kishte veshur çizme ngjyrë blu të errëta me detaje nga leshi artificial dhe doreza të kuqe të ndezura ndërsa pozonte së bashku me disa gra të tjera me veshje tradicionale.
Krahas fotografive, ajo shkroi: “Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova!”, së bashku me një mesazh në shqip ku citohej: “Urime 13 vitet e pavarësisë sonë në Kosovë!”.
Kosova është vendi i dytë më i ri në botë dhe më i ri në Evropë, duke shpallur pavarësinë e saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008, thekson tabloidi britanik.
98 nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe 22 nga 27 shtete të Bashkimit Evropian e njohin Kosovën, ndërsa Serbia jo.
Rita lindi nga prindër shqiptarë në kohën e Ish-Jugosllavisë, me prindërit e saj që u larguan nga rajoni për shkak të persekutimit të shqiptarëve.
Ylli me prejardhje shqiptare kishte folur në një intervistë për “Vogue Arabia” se si ishte që familja e saj të mbërrinte në Londër dhe të fillonte një jetë të re vetëm një vit pasi ajo lindi.
Duke kujtuar ngjarjen, ajo tha: “Ata lanë tërë jetën e tyre dhe u desh të fillonin nga e para kur mbërritën në Londër si refugjatë”.
“Por mbrojtja jonë ishte përparësia e tyre kryesore dhe unë i numëroj bekimet e mia çdo ditë për atë që ata bënë”, ishte shprehur këngëtarja shqiptare.
Duke shpjeguar pse prindërit e saj zgjodhën qytetin, Rita tha: “Ata zgjodhën Londrën sepse babai e donte muzikën dhe kulturën, por edhe më tej, siç mund ta imagjinoni, adoptimi i një jete të re ishte jashtëzakonisht e vështirë”.
Rita vazhdoi të shpjegojë se si ishte jeta duke u rritur në Londër dhe pretendoi se e pa atë ‘të vështirë’ për shkak të paragjykimit që rrethoi refugjatët.
Ajo zbuloi: “Unë shpesh quhesha refugjate në një mënyrë nënçmuese, megjithatë, kisha shumë miq të huaj dhe të gjithë kemi kaluar një kohë të shkëlqyeshme duke qenë ndryshe”.
Interpretuesja e hitit “Hot Right Now” më parë tregoi se si ajo u ngacmua si fëmijë për shkak të prejardhjes së saj ndërsa u rrit në Londër.