Do të jetë e vështirë që Lionel Messi të qëndrojë te Barcelona pasi ai e ka bërë publike dëshirën që të largohet nga klubi katalunas.
Këtë e ka thënë babai dhe agjenci i Messit, Jorge Messi, të mërkurën ndërsa ka ardhur në qytet për të negociuar për të ardhmen e birit të tij, shkruan agjencia Reuters.
Pasi ka fluturuar me aeroplan privat, Jorge Messi pritet të takohet më vonë të mërkurën me Josep Maria Bartomeun për të diskutuar për të ardhmen e të birit.
Zëdhënësi i klubit ka refuzuar të komentoj.
Messi insiston se ka një klauzolë në kontratën e tij që e lejon të largohet pa dëmshpërblim nga Barcelona. Por Barcelona insiston se ajo klauzolë ka skaduar, dhe se skuadra që dëshiron transferimin e tij duhet të paguajë 700 milionë euro sa është klauzola për lirim në kontratën e tij.
“Nuk e di, nuk di asgjë”, ka thënë Jorge Messi për kanalin televiziv “Cuatro” i pyetur nëse 33-vjeçari do të largohet nga klubi katalunas.
I pyetur nëse do të jetë e vështirë që të qëndrojë, ai është përgjigjur “po”. E i pyetur për të ardhmen e Messit te Barcelona, ai ka thënë “vështirë, vështirë”.
Ai i është shmangur pyetjeve nëse Manchester City do të jetë opsion i mirë për Messin.
“Nuk di, nuk ka asgjë momentalisht”, ka thënë Jorge.
Gazeta “Daily Record” ka raportuar se Messi pritet të firmosë kontratë pesëvjeçare me Cityn me vlerë 700 milionë euro. Po ashtu si pjesë e marrëveshjes i është ofruar hise te City Football Group. Messi pritet të kalojë tri vjet te Manchester City e më pas të transferohet te klubi nga SHBA-ja, New York City FC.