Udhëheqësi i banorëve kundërshtues në ndërtimin e fabrikës se çimentos, Veton Raci, ka treguar për Ekonomia Online vështirësitë që kanë hasur gjatë kundërshtimit për ndërtimin e kësaj fabrike në Klinë.
Ai ka thënë se pengesa kanë hasur edhe nga zyrtarë policorë, të cilët janë munduar që t’i pengojnë protestat.
Ai ka deklaruar se shpesh herë zyrtarët policorë kanë anuar kah operatori që kryente punimet.
“Për të gjithë ata që nuk e dinë, ndoshta nuk është momenti i fundit, që sot të flasim për vështirësitë që i kemi hasur në organizimet tona, por patjetër që duhet tua japim meritat çdonjërit i cili e ka mbështetur kauzën tonë për ndalimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos”, ka thënë Raci për EO.
“Ne në organizimet tona kemi pasur vështirësi të ndryshme si duke u nisur nga kërcënimet që kanë ndodhur ndaj organizatorëve. Kemi edhe raste kur pjesëtarë të policisë deklaroheshin ku dilnin qytetarët ta ndalonin fillimin e punimeve të ndërtimit të fabrikës së çimentos dhe polici në vend që të ruante atë pavarësinë, të mos anonte nga asnjëri grup, shprehimisht thoshte se ne jemi këtu për ta siguruar operatorin që të kryejë punët e veta”, ka thënë ai.
Raci ka deklaruar se policët kanë prezantuar edhe dokumente që nuk i posedonte as inspektorati komunal.
“Ne i thonim çdoherë që i paraqisnim dokumentet që ai nuk kishte bazë ligjore që të vazhdonte punimet, por që ata mbanin dosje të caktuara të cilat nuk i kishte as inspektorati i komunës, e ata i mbanin me vete e na i prezantonin neve se ja ku e ka dokumentacionin për të filluar punimet. Këto kanë qenë vështirësitë të cilat nuk kanë ndikuar në organizimin tonë sepse ne kemi qenë të vendosur në atë që e kemi në kauzën tonë dhe ky është një sukses i cili i atribuohet komunitetit të qytetarëve të cilët në forma të ndryshme e ndihmuan organizimin tonë, komuniteti i bizneseve në lokalet në Klinë, dhe të gjithëve pa asnjë dallim”.
E Ahmet Gashi, anëtar i grupit organizativ për kundërshtimit të ndërtimit të fabrikës së çimentos në komunën e Klinës, tha se në vitin 2020 kanë arritur t’i marrin 5 mijë nënshkrime nga qytetarët e Klinës për ta kundërshtuar ndërtimin e kësaj fabrike.
“… një vit ose dy vite përpara kanë nënshkruar një peticion i cili ka qenë mjeti më demokratik i cili refuzon ndërtimin e një fabrikeje të çimentos në këtë rast ku kanë nënshkruar më shumë se 5 mijë persona, lajmi i 6-të gushtit na ka gëzuar sepse ka qenë një përmbyllje e të gjithë këtij aktiviteti gati tre vjeçar i cili na ka dhënë të drejtë më në fund kurse ata zyrtarë nëpër ministri, ata zyrtarë nëpër drejtori të ndryshme dhe nëpër parlamente duhet të kuptojnë se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe duhet të respektohet ligji dhe kushtetuta e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Gashi ka thënë se kundërshtimi i tyre duhet të merret si model për organizata të ndryshme. Ai ka thënë se vendimi që i jep të drejtë qytetarëve, është i drejtë dhe inkurajim për të tjerët.
“Mua më vjen shumë mirë sepse mendoj se vendimi i Gjykatës është një inkurajim i madh i të gjitha grupeve nëpër të gjithë Kosovën që të besojnë në Gjykatën e Kosovës sepse çdo gjë e cila lidhet me të drejtën kushtetuese e ligjore një ditë do të zbardhet dhe gjykata do të na japë të drejtë dhe mendoj se modeli i organizimit tonë duhet të jetë model edhe për shumë grupe të tjera në gjithë Kosovën që të marrin këtë model dhe të organizohen të mos dekurajohen por të vazhdojnë të trokasin nëpër dyer, të pajisen me dokumente, të konsultohen me ligjet, me kushtetutën dhe një ditë gjykata do t’i shpërblejë dhe do ta marrin të drejtën e tyre që u takon”, u shpreh ai.