Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari për shkaktimin e aksidentit me fatalitet në Pejë

Prishtinë | 27 Nën 2023 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se është vetëdorëzuar i dyshuari për shkaktimin e aksidentit në Pejë, si pasojë e të cilit vdiq një këmbësor.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se i dyshuari është vetë dorëzuar pasditen e sotme dhe është dërguar në mbajtje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Më datën 27.11.2023 rreth orës 15:30 i dyshuari për aksidentin me fatalitet të datës 26.11.2023 në rrugën ‘Bill Clinton’ Pejë, në prani të avokatit mbrojtësi është vetëdorëzuar.

Pas intervistimit nga hetuesit e aksidenteve me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Policia të dielën kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e të dyshuarit në fjalë, pasi i njëjti dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Policia po ashtu, të dielën ka njoftuar se një këmbësor 41-vjeçar është goditur për vdekje nga një veturë, teksa ngasësi ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Të ngjashme