Lëvizja FOL në bashkëpunim me Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS) kanë prezantuar nivelin e përmbushjes së Planit të Punës së Qeverisë së Kosovës për periudhën mars-shtator, raporton Ekonomia Online.
Erblin Hoxha nga FOL, tha se nga monitorimi i 15 ministrive, përfshirë edhe zyrën e kryeministrit, nga 311 aktivitete vetëm 17% prej tyre janë realizuar ndërsa 73% prej tyre janë në proces.
Sipas tij, e vetmja ministri që i ka realizuar të gjitha aktivitetet është Ministria e Mbrojtjes me 100%, kurse ministria për Kthim nuk ka paraparë aktivitete për këtë periudhë.
“Në total të aktivitetet nëpër 15 ministri kanë qenë 311 aktivitete me u përfunduar deri në fund të shtatorit, të realizuara është pothuajse 17%, ndërsa 73% të aktiviteteve janë proces dhe këto duhej të përfundonin në shtator, ndërsa 10.8% nuk janë realizuar. Ministria për Kthim nuk ka paraparë aktivitete për këtë periudhë”.
Përderisa Ministria e Punëve të Jashtme ka realizuar vetëm 5 nga 31 aktivitete sa i ka paraparë, ndërsa ministria e Drejtësisë ka realizuar 14 aktivitete.
“Ministria e Punëve të Jashtme, ka paraparë me i pas 31 aktivitete për këtë periudhë dhe nga këto 5 janë realizuar, 4 prej tyre jo dhe të tjerat janë në proces”.
“Në Ministrinë e Drejtësisë janë realizuar 14 aktivitete, 53.8% e aktiviteteve janë realizuar”.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive në Lëvizjen FOL, tha se zyra e kryeministri nuk ka kthyer përgjigje me kohë, derisa tregoi se vetëm 1 orë para fillimit të konferencës kanë kthyer përgjigje.
“Janë dërguar 1 orë pra se me filluar konferenca, dhe është e pamundur. Kemi kërkuar qe secili aktivitet ta ka një afat të caktuar të tij, ka kaluar një proces shumë i gjatë derisa i kemi parë këto plane të punës”.
Venera Rama, nga ambasada e Holandës, tha se do të mbështesin në vazhdimësi projektet të tilla.
“Ne si ambasadë jemi të lumtur që e kemi mbështet, sot po ndalemi te një pjesë tjetër, unë po pres me i pa rezultatet”.
Kurse Misin Kamberi nga ministria e Zhvillimit Rajonal, tha se është dashtë që të dihet se sa për qind e atyre që janë në proces janë realizuar për të pasur një pasqyrë më të saktë.
“Keni mujt me e përcaktuar se sa për qind e asaj në proces është realizuar”, tha ai, raporton EO.