Vetëm 20 për qind e grave janë të punësuara në tregun e punës në vend. Por në sektorët specifik papunësia ka karakter strukturor, oferta nuk i përgjigjet kërkesës, u tha në tryezë me temën “Punësimi i rinisë dhe grave: Qasja dhe vështirësitë në tregun e punës”, organizuar nga Fondacioni “Jahjaga”, Ekonomia Online.
Florie Xhemajli menaxhere e projektit “Rrugëtimi drejt punësimit”, tha se në Kosovë ka mungesë të vendeve të punës mirëpo edhe ato vende që janë sipas saj, nuk plotësojnë kushtet ligjore.
“Në Kosovë është problemi i qasjes në vendin e punës, mungesa e vendeve të punës. Ne kemi probleme edhe në vendet e punës, ku nuk kemi siguri, orare të tejzgjatura, mungesa të kontratave. Në sistemin arsimor në Kosovë për një kohë të gjatë janë prodhuar kuadro pa asistencë dhe që nuk përkojnë me tregun e punës”.
“Mungesa e punësimit nuk është vetëm krizë momentale, por është edhe implikim i të ardhmes në sferën ekonomike dhe sociale”, tha ajo.
Alban Hashani, drejt ekzekutiv i Institutit “Riinvest” tha se vetëm 20% të grave janë të punësuara në Kosovë dhe që sipas tij, një shifër e tillë është e domosdoshme të lëvizet.
“Nëse them që papunësia në Kosovë është problemi më i madh, nuk them diçka të re. Papunësia është si vazhde e asaj që ekonomia në Kosovë nuk është reformuar mirë. Nëse e shohim punësimin nga ana e ofertës dhe kërkesës shohim probleme në të dyja anët. Në anketën e fuqisë punëtore është nxjerrë një përqindje më e madhe e punësimit”.
“Unë besoj qe pa përfshirjen e plotë të grave në punësim, është i pamundur reformimi ekonomik. Rreth 20% të grave janë të kyçura në punësim. Në sektor specifik papunësia ka karakter strukturor, oferta nuk i përgjigjet kërkesës. Disa prej barrierave të punësimit të grave lidhen me detyrimet që kanë në familje”, tha ai.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se Kosova ka shënuar raport negativ në tërheqjen e investitorëve të huaj, raporton EO.
“Bizneset sot ballafaqohen me probleme të shumta. Institucionet kanë qenë shumë pak kreative në zgjidhjen e problemeve mirëpo kanë qenë mjaftueshëm kreative për hapjen e problemeve. Në aspektin e statistikave kemi pas me pak investitor të huaj. Ne nuk kemi parë ndonjë inaugurim e as ndonjë prerje të shiritit e që politikanët tonë shumë më endje i ndjekin”.
“Në vitin 2018 kemi shënuar përkeqësim edhe në renditjen e të bërit biznes, në raportet e Bankës Botërore. 60% e bizneseve mendojnë që politikan fiskale janë më të mira se sa kanë qenë më herët. Kemi ankesa të mëdha nga sektori privat për kuadro të punës. Një problem i madh është edhe diskrecioni i madh që zyrtarët shtetëror ja japin vetës në favor të tyre dhe në dëm të bizneseve”.