Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka lansuar raportin Pulsi Publik XIV, i cili ofron një pasqyrë të përmbledhur të treguesve kryesorë të matur nga Anketa e Pulsit Publik.
Kjo anketë mbledh të dhëna mbi perceptimet e qytetarëve për institucionet në Kosovë duke u përqendruar në çështjet politike, ekonomike, të sigurisë dhe zhvillimit.
Anketa mbulon periudhën mes tetorit 2017 dhe prillit 2018 dhe ndjek traditën e raporteve të mëparshme duke shqyrtuar situatën socio-politike në zhvillim në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Përveç treguesve të zakonshëm kyç, ky numër përmban edhe informata mbi qëndrimet rreth votimit te kosovarët.
Sipas anketës, rreth 33% e kosovarëve u deklaruan të kënaqur me punën e kryeministrit, ndërsa 30% u deklaruan të kënaqur me punën e institucioneve qendrore.
Menaxheri i projektit Pulsi Publik, Atdhe Hetemi, tha se në këtë anketë tregohet që kosovarët kanë kënaqshmëri më të madhe te puna e presidentit në krahasim me institucionet e tjera.
“Anketa tregon një rënie të përgjithshme të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e shumicës së institucioneve kryesore ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në Kosovë me përjashtim të punës së Kuvendit dhe të presidentit, që nuk patën ndryshim të ndjeshëm nga Pulsi Publik XIII”, tha Hetemi.
“Qytetarët kanë shprehur një kënaqshmëri të ulët sa i përket orientimit momental politik që ka Kosova”, shtoi Hetemi.
“Anketa e Pulsit Publik tregon një rënie të përgjithshme të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e shumicës së institucioneve ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të Kosovës”, tha Hetemi.
Hetimi tha se 33% e kosovarëve janë të kënaqur me punën e Kuvendit, 31.5% janë të kënaqur me punën e kryetarit të Kuvendit dhe Presidenti gëzon nivelin me të lartë të kënaqshmërisë mes qytetarëve sepse anketa tregon që rreth 39% e kosovarëve janë të kënaqur me punën e presidentit.
Ndërsa sipas anketës, del se kënaqshmëria me punën e gjyqësorit është ulur rreth 6 dhe 3 pikë përqindje nga tetori 2017.
Në anketën e bërë nga 1305 qytetarë të komuniteteve të ndryshme, si problemet themelore me të cilat përballet Kosova aktualisht del se përqindja më e madhe qëndron në papunësinë, ku në krahasim me tetorin e vitit 2017 del se ka rënie prej 11% sa i përket papunësisë si problemi më i madh. Ndërsa, korrupsioni vazhdon të jetë shqetësim për shoqërinë kosovare ku nga ky numër i të anketuarve 14.3% e shohin korrupsionin si shqetësim të vendit.