Vetëm 6 nga 185 kandidatët e kualifikuar për prokurorë kalojnë testin me shkrim

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 19:08 | Nga Ekonomia Online

Më 27 prill 2021, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka rishpallur konkursin për pranimin e 16 prokurorëve në gjashtë prokurori themelore. Por, nga 185 kandidatët e kualifikuar nga KPK-ja, Komisioni për Rekrutim i KPK-së ka njoftuar se vetëm gjashtë kandidatë e kanë kaluar testin me shkrim.

Sipas këtij njoftimi, kandidatët që nuk e kanë kaluar testin me shkrim mund të parashtrojnë ankesë tek Komisioni për Rishqyrtim brenda tri ditëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kështu, nëse mbetet kjo listë, KPK nuk do të arrijë të rekrutojë 16 prokurorë, ashtu siç kishte planifikuar.

Ndryshe, në këtë konkurs kishin aplikuar gjithsej 362 kandidatë.

Testi kualifikues për këta kandidatë ishte organizuar nga KPK më 21 nëntor 2021.

Nga 362 kandidatë, për testin me shkrim i cili ishte mbajtur më 19 dhjetor 2021, ishin kualifikuar gjithsej 185 kandidatë, ku vetëm gjashtë nga të cilët kanë kaluar testin me shkrim.

Pas përfundimit të afatit të ankesave, sipas Rregullores së KPK-së, do të organizohet edhe intervista me kandidatët që kanë kaluar testin me shkrim.

Ndryshe, KPK më 27 prill 2021 kishte rishpallur konkurs për pranimin e 16 prokurorëve të rinjë.

Sipas konkursit të shpallur nga KPK, katër prokurorë planifikohej të pranoheshin në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, katër në Gjakovë, tre në Ferizaj, dy në Pejë, dy në Gjilan dhe një në Mitrovicë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme