Policia e Kosovës përmes raportit të sotëm policor, njofton se tri gra janë rrahur prej burrave të tyre, akt ky që është mjaft shqetësues në vendin tonë.
Një rast ka ndodhur në Magure të Lipjanit, që siç thotë policia, pas një mosmarrëveshje mes gruas e burrit, ky i fundit e rrah atë. Çifti raportohet se janë të komunitetit Ashkali, raporton Koha.net. Tutje thuhet se kur policia ka kontrolluar shtëpinë e tyre, ka sekuestruar edhe substanca narkotike.
Një tjetër rast ka ndodhur në Prishtinë. Policia thotë se një burrë e ka rrahur gruan e tij duke i shkaktuar kështu edhe lëndime trupore. Gruaja ka pranuar më pas tretman mjekësor, por burri, është liruar në procedurë të rregullt.
Rrahja tjetër e burrit ndaj gruas ka ndodhur në Gjilan, në fshatin Livoq i Epërm. Pas një mosmarrëveshje burrë e grua, edhe në këtë rast burri shfaq “fuqinë” e tij duke e rrahur gruan. Policia thotë se gruaja ka pranuar menjëherë tretman mjekësor ndërsa burri pasi është intervistuar, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajte, transmeton Koha.net.
Dhuna ndaj gruas vazhdon të jetë mjaft shqetësuese në Kosovë. Çdo ditë nga raporti policor ka të paktën 3 raste kur burri ushtron dhunë ndaj gruas.
Kohë pas kohe, po mbahen aktivitete të ndryshme kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Në këtë mënyrë, kërkohet ndërgjegjësimi dhe nxitja e veprimeve për t’i dhënë fund dhunës.
Vitin e kaluar në Kosovë, dhuna ndaj gruas kishte shënuar rritje.