Korporata Energjetike e Kosovës është duke funksionuar aktualisht me vetëm dy blloqe, A3 dhe A5. Blloku B-2 i cili ka qenë në prodhim deri tash, është ndalur sot herët, shkaku i rrjedhjeve të ujit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli. Por, edhe pse ky bllok është jashtë funksionit, Bucolli ka thënë se s’do të ketë mungesë të energjisë, meqë tashmë është kontraktuar rryma për aq kohë derisa kjo njësi të kthehet në prodhim.
Sipas tij, ky bllok është në riparim dhe do të kthehet në funksion nesër.
“Tri njësi kanë qenë në operim, B-2 dhe dy njësi të Kosova A, A-3 dhe A-5. Njësia B-2 është ndalë për shkak të rrjedhjeve të ujit sot në orët e para të mëngjesit edhe pritet me u riparu edhe me u kthy nesër në prodhim. Prodhimi i qësaj njësie, se ne zakonisht e nominojmë rrymën një ditë përpara për konsumatorët fundorë, edhe në momentin që na e nominojmë rrymën, edhe ne thojmë që e kemi këtë rrymë ne e sigurojmë atë prodhim. Tash jemi duke kontraktuar rrymën për aq kohë sa nuk punon B-2, pra për sot dhe për nesër. Nuk ka me pas mungesë. Aktualisht janë në prodhim dy njësitë A3 dhe A5, edhe B2 kthehet në prodhim nesër. Nuk ka mungesë të energjisë sepse KEK është duke e kontraktuar energjinë, rrymën në kapacitetet që ka pas me i prodhu kjo njësi. Dy njësitë janë duke prodhuar 260, edhe 260 i siguron KEK, në total 520.”, ka deklaruar Bucolli për Express.
Ndryshe, Kosova nuk arrin ta plotësojë të gjithë kërkesën për furnizim me rrymë nga gjenerimi i brendshëm i energjisë elektrike: Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatë rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavatë në orë. Kjo diferencë importohet nga jashtë.
Vitin e kaluar, Kosova u përfshi në një krizë energjetike. Qeveria vendosi masa emergjente për energji, të cilat përfshinin masa të kursimit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.
Nga 1 prilli i sivjetmë, në Kosovë kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike, me rritje prej 15.4 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.