Vetëm e vërteta na shpëton!

Prishtinë | 21 Maj 2023 | 22:30 | Nga Ekonomia Online

(Letër për publikun mbi një incident të vockël por të rëndësishëm me profesorin Ag Apolloni dhe profesorin në ardhje Denur Paçaku)

Më 17 maj 2023, kritiku i rreptë i letërsisë, shoqërisë dhe politikës, Ag Apolloni, duke përkujtuar rastin e pesë vjetorit të vdekjes së politikanit dhe poetit Kujtim Paçaku, në murin e tij në Facebook, kishte postuar një panagjerik të paparë ndonjëherë prej tij për ndonjë njeri të gjallë apo të vdekur. Ja elozhi i Apollonit.


Poeti rom i Kosovës

Para pesë vjetësh është ndarë nga jeta poeti Kujtim Paçaku. Krahas gjuhës rome, ai ka shkruar edhe në gjuhën shqipe. Shkruante edhe shqip, sepse një përqindje e madhe e komunitetit rom, për shkak se nuk ua kishim dhënë shansin e integrimit, ishte analfabete, pra nuk mund ta lexonte. Por, mjerisht, një përqindje e madhe e shqiptarëve, për shkak të paragjykimeve ndaj këtij komuniteti, nuk e lexonte.

Kujtim Paçaku ishte poet, muzikant, aktor, njeri me kulturë të gjerë, i arsimuar në Universitetin e Sorbonës, deputet në Kuvendin e Kosovës. Me veprimtarinë e tij letrare, kulturore e politike, ai është më shumë se poet, më shumë se intelektual, më shumë se politikan; ai është hero. Me një angazhim të pashembullt intelektual e politik, ai ka bërë luftën më të madhe deri sot kundër diskriminimit. Ndërsa, vepra letrare e tij, qoftë edhe vetëm për arsye estetike, duhet të përfshihet në libra shkollorë, dhe të mësohet në kuadër të letërsisë së Kosovës, sepse ai ishte kosovar. Ndër më të mirët, madje.


U trondita nga postimi. Ai përmbante opinione jo fort të bazuara dhe i mungonte, me sa dimë deri më tash, një fakt i cili nuk lejon që Paçaku të glorifikohet pa tavan.

Nuk është aspak e vërtetë që Kosova nuk kishte integruar romët në ish-Jugosllavi, e aq më pak tash që është shtet. Ka shqiptarë që padyshim, atëherë dhe ende sot, trajtojnë romët me përçmim dhe ndonjëherë edhe me racizëm, mirëpo analfabetizmi i romëve, përgjatë jetës së Paçakut, nuk vinte nga Kosova por rrjedhte nga Federata Jugosllave, që i trajtonte shqiptarët si romët. Unë kam shkuar në shkolla të njëjta me romë dhe ka pasë plot shqiptarë që kanë qenë më analfabetë se romët. Romët, si çdo pakicë, e kanë pasë dhe e kanë më vështirë se sa shqiptarët, mirëpo praktika e romëve me shqiptarët në Kosovë tregon situatë emancipuese ndoshta si askund në botë.

Romët janë si çdo grup njerëzor. Kanë individë të mirë, porse edhe ndonjë të keq. Duhet të thuhet e vërteta: edhe ndër romë ka pasë individë që ishin pozicionuar me forcat e Millosheviqit, siç ka disa që kanë ishin me forcat çlirimtare të UÇK-së. Romët sot në Kosovë kanë garancione që shqiptarët në shumë shtete ku s’janë shumicë as nuk mund t’i ëndërrojnë. Unë jam shumë krenar për këtë dhe mbështes romët dhe të gjithë. Çdo intelektual e di, romët duhet trajtuar si shqiptarët dhe krejt qytetarët tjerë të Kosovës. Por romët nuk kanë nevojë as për mëshirë dhe as për ndjeshmëri më afirmative. Posaçërisht kur kjo bëhet për dukje dhe gjoja qëndrime misionareske. Si çdo grup qytetar ata duhet t’u nënshtrohen përkrahjes por edhe shikimit kritik si të gjithë të tjerët. Pse jo edhe Kujtim Paçaku?!

Sido që të jetë, atë ditë, në pamjaftueshmëri të kohës, në murin e Ag Apollonit, shkrova një koment të shkurtër duke thënë se Paçaku ishte një poet i mirë, por se krahasimi i tij i ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës më 1999 me Adolf Hitlerin kishte qenë gabim i rëndë dhe befasues për mua sepse unë vetë derisa kisha parë videon kisha një respekt të veçantë për politikanin rom. Bile kur ishte dhënë lajmi i vdekjes së tij, më 17 maj 2018, kisha bërë përkushtimin e mëposhtëm:

“Një jetë njerëzore vlerësohet edhe me kujtimet që zgjasin pasi ajo të përfundohet nga vdekja. Poeti dhe aktivisti rom Kujtim Paçaku qenka ndarë nga bota jonë, por prapa ka lënë kujtime që do të jetojnë gjatë. U prehtë në paqen e parajsës!”

I bindur që Ag Apolloni, si përcjellës i pulsit shoqëror dhe ngjarjeve me peshë në botë, kishte parë videon e televizionit të Millosheviqit në të cilën Paçuku quante NATO-n (dhe ndërhyrjen për ndalimin e gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë) Adolf Hitler, unë nuk e postova linkun dhe xhirimin e televizionit propagandistik fashist RTS të titulluar “Ljubav je pobedila bombe 1999 – Dnevnik ratnog snimatelja 5”.

Video ka disa vite që është zbuluar për opinion nga fotografi Fahredin Spahija, me një komentim fisnik nga ai që publikimi i saj ishte për arsye informimi faktik dhe nuk kishte të bënte asgjë me krejt komunitetin rom.

I turbulluar nga gjykimet lavdëruese të zmadhuara mbi Paçakun të vinin nga një Apollon i pamëshirshëm në vështrimet dhe verdiktet e tij në përgjithësi, megjithatë, menjëherë pas postimit, vazhdova me përditshmërinë e obligimeve biznesore dhe personale. Nuk kishte disa muaj që kisha përfunduar librin e Apollonit me ese, “Koferi i Konicës”, ku profesori i letërsisë në Prishtinë, pak a shumë, kishte dekonstruktuar dhe hedhur përdhe gati 99.9% të letërsisë shqiptare. Shkrimtari nga Stagova e kishte bërë këtë edhe më parë duke shkuar aq larg sa ta kualifikonte, fjala vjen, Gjergj Fishtën si një poet epik pa vlerë dhe shovenist. Në vitin 2011, librin e tij “Parabola postmoderne”, me venerime për veprat e Rexhep Qosjes, e kisha emërtuar “interpretim inteligjent” dhe “margaritar i kritikës shqiptare”. Më pas ai më kishte kërkuar ndihmë të përkthehej anglisht ndërkaq që unë i kisha dhënë rekomandimet e mija kënd të kontaktonte dhe si të vepronte. Disa vite më vonë, kur ai ishte kryeredaktor në “Jeta e Re”, pa pagesë honorari, kisha kaluar dhjetëra orë punë për të intervistuar dhe botuar një plejadë të poetëve amerikanë në revistë, disa nga ta si p.sh. Natalie Diaz, Jericho Brown dhe Eduardo C. Corral janë tanimë në fronin e poezisë së sotme amerikane. Ag Apolloni pra më njeh mirë si karakter dhe një nga promovuesit e lirisë kritike në përgjithësi dhe të tij në veçanti, për çka shpesh jam vënë në shënjestër nga njerëz që e shohin Apollonin si një goditës të çdo gjëje sidomos në letërsinë shqiptare. Unë asnjëherë nuk shkruaj apo deklarohem pa pasë dijeni, informacion dhe fakte për asnjë temë apo çështje.

Disa orë pas komentit tim te profesor Apolloni, e mora një mesazh të gjatë privat nga Denur Paçaku. Ai më tregonte se ishte i biri i Kujtim Paçakut të ndjerë, se kishte parë një koment timin te profesor Ag Apolloni dhe vazhdonte me përshkrimin e ngjarjes së bomardimit atë ditë kur ishin vrarë disa civilë romë dhe ishte prononcuar babai i tij. Në mesazh djali po bënte avokatin e babait dhe më dëftonte që pas luftës NATO kishte kërkuar falje për gabimin ku ishte goditur një objektiv civil. Deri në një shkallë ndoshta është e kuptueshme që biri ta shfajësojë atin, por jo e drejtë. Por pse nuk shkruante ai publikisht?! Pse komunikonte privatisht?!

Hezitova ca, mirëpo reagova në pika të përgjithësuara duke e pyetur: a duhet të krahasohen aleatët që bombarduan Gjermaninë naziste me Hitlerin? I shkrova poashtu që Kujtim Paçaku është dashur të kërkojë falje për prononcimin në RTS dhe bile edhe ti si djalë i tij i bën më mirë babait dhe jetës së tij duke u distancuar nga paraqitje e Paçakut në storien propagandistike serbe në RTS kundër aleatëve të lirisë së Kosovës. Fundja, ndërsa NATO po bombardonte fashizmin serb, NATO kishte vrarë gabimisht edhe dhjetëra shqiptarë civilë dhe askush nga familjarët e viktimave shqiptare nuk kishte quajtur Bill Clintonin Adolf Hitler. Çmimi i lirisë është i tmerrshëm ,dhe, si çdo luftë çlirimtare, edhe lufta e Kosovës ka marrë shumë jetë njerëzish totalisht të pafajshëm. Adolf Hitleri ishte vetëm Slobodan Millosheviqi. Jo Amerika, jo NATO, jo ata që luftonin për lirinë e Kosovës dhe përfundimisht edhe për lirinë e Kujtim Paçukut dhe familjes së tij.

Aleatët, bashkë me forcat e rezistencës vendore, që luftuan forcat okupatore serbe të Millosheviqit, sollën Kosovën ku Kujtim Paçaku u bë politikan dhe deputet me pagë dhe benefite të mira, të cilat i gëzon familja edhe pas vdekjes së tij.

Si njeri që do informimin, unë mbaj mend shumë mirë librin me poezi të Kujtim Paçakut “Trujal o jaga”, me vjersha në gjuhën rome dhe të përkthyera në shqip, serbisht dhe anglisht. Shpenzimet e tij dhe përkthimit të paguara nga BE-ja, Këshilli i Europës dhe ‘Campgain dosta’. Nga ata që Kujtim Paçaku i kishte quajtur Adolf Hitler më 1999!!

Mesazhet e Denur Paçakut më bënë te rivizitoja postimin e Apollonit. Dhe ç’të shihje?!!!

Profesori, shkrimtari dhe kritiku për çdo gjë e kënd jo, Ag Apolloni, kishte fshier komentin tim!!! Pse nuk ishte përgjigjur shkrimtari me argumente apo fakte?!

Interneti dhe mediet sociale janë rrumbull me vulg, me njerëz pa mendje të hapur dhe me mendësi totalitariane. Këta njerëz kur sfidohen aktivizojnë aftësinë e vetme të tyre: zhdukin ekzistencën e sfidimit duke fshier. Nuk mund e besoja që një intelektual mund të veprojë kaq me ultësi. I dërgova Apollonit disa mesazhe dhe pyetje.

A e ke fshier një koment që bëra për videon e Paçakut apo nuk po e shoh?! Do të ishte shok për mua nëse e ke fshier. Unë nuk shkruaj pa bazë. Paçaku i ka quajtur NATO-n dhe Amerikën Hitler. Më shkroi edhe djali i Kujtimit. Po pres për versionin tënd se çfare ka ndodhë dhe pse një profesor universiteti dhe shkrimtar censuron.

Prita reflektim dhe qebesa kërkim falje nga profesori universitar Apolloni. Jo pse m’u fshi mua një koment, porse ngase në universitetet dhe shoqëritë e botës së përparuar njerëzit sfidohen dhe kundërshtohen hapur. Askush nuk tenton fshierjen e sfidave, argumenteve dhe fakteve. Debati dhe zhvillimi janë të pamundshme pa qëmtime sfiduese dhe kritike. Askush dhe asnjë temë nuk është lopë e shenjtë të mos shqyrtohet, kritikohet, rivlerësohet nën dritën e fakteve (të reja) etj. Kjo në botën demokratike është e kuptueshme nga nxënësit në shkolla fillore.

Por Apolloni ma ktheu një përgjigje vërtetë bizare. Më shkroi: “Ne shkrime perkujtuese nuk shahen njerezit.”(!!)

Ja ktheva: “Nuk shava askund. Thashe është poet i mirë, por deklarimi i tij në një video ishte skandaloz. Unë mendova që ti nuk e dije për videon. Mirepo ti e paske ditur dhe kjo e bën shlyerjen edhe më të ulet. Deklarimi i tij është fakt. Jo sharje. Respekti im për Paçakun nuk guxon të më errësojë gjykimin ta idolizoj apo përdoroj atë që të dukem cool apo demek tolerant pse ishte pakicë grupore.”

Një deklarim publik mbeti zgjidhja e duhur. I shkrova Apollonit: “Shpresoj se kallxon naltësi dhe nuk idhnohesh duke e personalizuar… Le të kthehet ai akt i gabuar në diçka të mirë dhe shembull për diskursin publik dhe shoqëror.”

Njerëzit ose po harrojnë ose nuk po duan të mësojnë të vërtetat e plota. Por mua më kujtohet shkoqur kur Kujtim Paçaku hidhej e përdridhej në Kuvendin e Kosovës se ishte ofenduar dhe romët ishin cenuar nga disa kualifikime idiomatike të dy deputetëve shqiptarë të PDK-së. Kadri Veseli, ndonëse asppak i implikuar individualisht, me madhështi kërkoi falje nga froni i kryeparlamentarit. Ndoshta shumë e kanë harruar, me qëllim apo nga pakujdesia, por mua më kujtohet poashtu kur Kujtim Paçaku mori kërkimfalje edhe nga Jan Braathu për një raport të OSBE-së që kishte përdorur terme pezhorative për romët. I vetmi që nuk kërkoi falje për kualifikimin si Hitler të Amerikës dhe NATO-s ishte dhe është Kujtim Paçaku. Nuk e kam asnjë dyshim që ai e dinte se çfarë kishte deklaruar për RTS më 1999.

Uroj dhe inkurajoj Denur Paçakun dhe familjen e Kujtim Paçakut të deklarohen, shpjegojnë dhe kërkojnë falje për Kujtim Paçakun. Kjo veç e nderon kujtimin për Kujtim Paçakun dhe vendos korrektesën dhe balansin e kërkimfaljeve në vend. Kurse profesor doktor Ag Apollonit i dëshiroj të mësojë nga thënia: më i dëmshëm se ai që hesht është ai apo ajo që kërkon edhe ti të heshtish për të vërtetën duke e fshehur apo fshier atë.

Ç’është e vërteta, një pjesë e intelektualumit shqiptar në Kosovë ka kohë që përdoron disa tema dhe pakicat joshqiptare për arsye të të dukurit si dhe përfitimeve depërtuese në skenën botërore apo financiare nga donatorë gjegjësisht patronë të huaj të artit, letërsisë dhe aktiviteteve të shoqërisë civile. Kjo qasje kundrejt joshqiptarëve dhe ky shfrytëzim i tyre në thelb është racizëm dhe duhet të ndalet.

Intelektualët dhe shqiptarët kudo duhet të pyesim veten: a jemi ne shqiptarët shoqëri e lirë apo vetëm hipokritë dhe selektivë deri në turp?! Nuk ka lidhje që Paçaku është rom apo dikush nuk është shqiptar. Trajtimi i tij demek special apo me tutë dhe me standarde të dyfishta është në thelb racist. Trajtimi i njerëzve nën llupën kritike dhe të fakteve është trajtimi korrekt. Shkurt e trup me ngjyra dhe të gjitha dritë-hijet. Kjo i ndihmon antidiskriminimit. Sepse e mira dhe e vërteta nuk janë kurrë as të gënjshtërta dhe as censuruese. VETËM E VËRTETA NA SHPËTON !

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme