Vetëm edhe një javë kohë, më shumë se gjysma e zyrtarëve të shtetit ende s’e kanë deklaruar pasurinë

Prishtinë | 24 Mar 2021 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Ka mbetur vetëm edhe një javë kohë për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve publik në Agjencinë Kundër Korrupsion. Drejtuesi AKK-së, Shaqip Havolli, thotë se deri më tani më pak se gjysma e zyrtarëve të obliguar që ta deklarojnë pasurinë e kanë bërë kryer këtë obligim të tyre ligjor.

Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli në një bisedë për Gazetën Online “Reporteri.net”, ka bërë të ditur se deri më tani pasurinë e tyre e kanë deklaruar rreth 2 mijë zyrtarë publik.

“Deklarimi i pasurisë ka filluar më 1 mars dhe përfundon më 31 mars. Deri më tani pasurinë e kanë deklaruar rreth 2 mijë zyrtarë të lartë publik dhe ende jemi në pritje që ta deklarojnë edhe një numër tjetër i madh. Totali i zyrtarëve që duhet ta deklarojnë pasurinë është 4 mijë e 850 zyrtarë”, tha ai të mërkuren.

“Më pak se gjysma e kanë deklaruar pasurinë. Afati përfundon më 31 mars”, konstatoi Havolli për Reporteri.net.

I pari i Agjencisë Kundër-Korrupsion është pyetur edhe për zyrtarët e ri që obligohen ta deklarojnë pasurinë, si rastet e deputetëve që për herë të parë e kanë marrë këtë detyrën, të hënën.

“Ata që bëhen për herë të parë zyrtarë të lartë publik, afati rrjedh prej momentit kur ata janë bërë zyrtarë publik, në këtë rast për deputetë të Kuvendit, kanë afat 30 ditë për deklarimin e pasurisë”, ka treguar Havolli.

Ai për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ ka bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme AKK do të dalë me raportin vjetor.

Havolli është pyetur edhe për deklarimin e dhuratave.

“Sa i përket dhuratave varësisht prej dhuratave zyrtarët ose institucionet e bëjnë një raport dhe e dërgojnë në Agjenci. Shumë shpejt do të dalim me një raport përfundimtar në lidhje me dhuratat. Kah fillimi i javës tjetër Agjencia do ta bëjë publik raportin vjetor dhe këtu do t’i shini statistikat”, ka shtuar tutje Havolli.

Drejtori i AKK-së ka thënë se nuk ka detaje ende se çfarë dhurata kanë pranuar zyrtarët e lartë publik të Kosovës dhe cila është vlera e tyre.

“Ende nuk i kam detajet vetëm e di se ka ardhë raporti. Vazhdimisht vijnë raportet nga institucionet”, shtoi ai.

Shefi i AKK-së ka paralajmëruar se mund të bëhen edhe kallëzime penale ndaj zyrtarëve për të cilët ka dyshime apo nuk kanë fakte të mjaftueshme për ta arsyetuar pasurinë.

“Gjatë kontrollit të pasurisë ne kërkojmë prejardhjen e pasurive dhe nëse ka dyshime ose nuk ka dëshmi të mjaftueshme lidhur me prejardhjen e tyre ne ushtrojmë kallëzim penal dhe këto raste i dërgojmë në Prokurori dhe ata vazhdojnë me procedurat e tjera”, është shprehur ai për Reporteri.net.

Ka thënë se procesi i deklarimit të pasurisë përfundon më datën 31 mars dhe nuk do të ketë zgjatje të afatit.

“Nuk do të ketë zgjatje të afatit por do ta vlerësojmë situatën e përgjithshme dhe ne jemi në kontakt edhe me Institutin e Shëndetit Publik”, theksoi Havolli.

Drejtuesi i AKK ka thënë se edhe nga përvojat e viteve të kaluara zakonisht zyrtarët e lënë që deklarimin ta bëjnë në javën e fundit.

“Zakonisht në javën e fundit shumica e zyrtarëve edhe në të kaluarën e kanë bërë deklarimin e pasurisë. Na ngarkon tejmase por do të bëjmë përpjekje që t’u dalim në ndihmë të gjithëve. Në këtë vit për shkak të pandemisë e kemi bërë procesin online, por nëse ndokush dështon mund t’i sjellë edhe fizikisht, natyrisht duke i respektuar masat kundër Covid-19”, tha ai.

Ai është pyetur se kush janë më të përgjegjshëm rreth deklarimit të pasurisë, pushteti apo opozita.

“Se kam një vlerësim të tillë, por si pozita, si opozitë e kanë obligim ta deklarojnë pasurinë”, përfundoi Havolli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme