“Pritet në vitin 2020 përfundimi i një projekti megaloman të metropolit më të ri evropian, Prishtinës. Plan të avancuar urban, objekte superluksoze, gërshetim i mrekullueshëm i strukturës historike me atë moderne, gjelbrim me përqindjen më të lartë në Evropë, zgjerim i kontrolluar dhe detajuar i qytetit, fitues i shumë çmimeve si qyteti më i bukur evropian!” Kjo ishte ëndrra e çdo qytetari të Prishtinës në vitet e para të këtij fillimshekulli, por e vërteta ndodhi krejt ndryshe.
Gjendja urbanistike në Prishtinë është në pikën më të keqe të mundshme, kjo si pasojë e veprimit dhe mosveprimit institucional para së gjithash. Institucioni relevant në fushën e urbanizmit, Drejtoria e Urbanizmit dhe politikbërja lokale e Prishtinës duket se janë vetëm soditës të zhvillimeve urb-arkitektonike në qytet.
Informaliteti dhe ilegaliteti tanimë janë bërë fenomen, ndihmuar nga performanca e dobët e drejtorive të Urbanizmit dhe Inspekcionit. Poashtu performanca e dobët e Kuvendin Komunal në miratimin e Planeve Zhvillimore, Planeve Rregulluese Urbane dhe Planeve Urbane Detale, ka ndikuar në situatën e shkaktuar.
Zhvillimi dinamik i punës në industrinë ndërtimore në terren në njërën anë dhe puna e ngadalshme dhe e vonuar e politikbërjës lokale në anën tjetër janë determinues të gjendjes kaotike në qytet.
Ndërtimi në shumë lagje urbane të qytetit me Plan Zhvillimor Komunal, si pasojë e mungesës së Planeve Rregullative Urbane dhe tejkalimit të tyre, është jashtëzakonisht i dëmshëm për një kryeqendër, e sidomos kur ajo është në fazën e tranzicionit dinamik. Pastaj, strategjia e mirëfillët e munguar për kahjen e zgjerimit të qytetit, korrupsioni, sistemi piramidal i industrisë së ndërtimit janë disa nga faktorët e gjendjës së krijuar. Shqetësim tjetër është zhvillimi i qytetit në ato zona të cilat ishin toka bujqësore me rendimente të larta, pastaj shndërrimi i shumë tokave bujqësore në toka ndërtimore, mungesa e debateve të mirëfillta publike, degradimi i tokës nga ndërtimi dhe deponit ilegale gjatë dhe pas ndërtimit.
Ndërtimi i objekteve në parcela me koeficientë të lartë të ndërtimit dhe hapësira të gjelbëra të vogëla, shpeshherë të munguara janë shqetësimi tjetër në aspektin mjedisor, ambiental.
Është logjikisht e pranueshme që qëllim i vetëm i ndërtuesve është profiti, por janë institucionet ato të cilat duhet ta bëjnë balancin mes interesit ekonomik dhe interesit të përgjithshëm qytetar.
Nga ndërtimet përveç mosrespektimit të distancave ligjore mes ndërtesave, mungesa e orientimit, insulimit, vizurave, shqetësim janë dendësia e madhe e banorëve, ngarkesa në strukturën ekzistuese infrastrukturore, energji, ujësjellës, kanalizim, probleme të theksuara në qasje të zjarrëfikësve, mungesa në qasje për persona me aftësi të kufizuara, mirëmbajtje, e shumë probleme tjera.
Gjatë marrjës së lejeve ndërtimore dhe veprimeve ilegale, komuna është tejet e pakujdesshme ndaj aseteve të trashëgimisë kulturore. Kemi raste kur ato rrënohen për ndërtime të reja, në emër të renovimit në fakt rindërtohen, nuk respektohen distancat ligjore për zona dhe objekte të mbrojtura, nuk ka përshtatshmëri me rrethinën.
Madje kemi edhe raste të tilla kur nënkryetari i komunës pohon me bindje në cilësin e ekspertit, se një objekt duhet rrënuar për shkak të “mungesës së vlerave arkitektonike”, por në fakt kemi reagime të organizatave botërore të fushës se i njëjti objekt duhet ruajtur për shkak të vlerave të tij.
Institucionet lokale dhe qëndrore qëllim primar dhe të vetëm duhet ta kenë qytetarin, jo agjendat e interesat politike dhe klanore. Shpeshherë politika ka shërbyer në dobi të biznesit, në vend që të jetë gardian i interesave të qytetarit!
Është momenti i fundit që qytetari i Prishtinës të ngrit zërin dhe të bëhet aktiv në mbrojtje të interesave dhe qytetit të tyre.
(Autori është arkitekt, urbanist dhe ambientalist)