Vetëm një komision hetimor i Kuvendit ka dorëzuar raport në Prokurorinë Speciale

Prishtinë | 20 Tet 2020 | 19:33 | Nga Ekonomia Online

Që nga fillimet e tij Kuvendi i Kosovës i ka pasur gjithsej nëntë komisione hetimore parlamentare, por vetëm 1 prej tyre ka arritur të dorëzojë raport përfundimtar në Prokurori.

Madje në një përgjigje për KOHËN, Kuvendi i Kosovës ka thënë se nuk posedon informacione që nga raportet apo gjetjet e komisioneve hetimore Prokuroria të ketë nisur hetime apo të ketë ngritur aktakuzë.

Për një çështje të tillë KOHA ka pyetur edhe Prokurorinë Themelore dhe atë të Shtetit, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe nga disa komisione të tjera që nuk e kanë përfunduar punën, Komisioni Hetimor parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës e ka dorëzuar raportin në Kuvend, por ai asnjëherë nuk është shqyrtuar në seancë.

Puna e dobët e komisioneve hetimore është përmendur edhe në Raportin e BE-së për Kosovën. Aty thuhet se shumica e tyre nuk e kanë përfunduar punën dhe se Kuvendi i Kosovës duhet të ndërtojë ekspertizë më të specializuar në mënyrë që komisionet hetimore të kenë efekt.

“Sa i përket hetimeve parlamentare në qershor të vitit 2019, Kuvendi miratoi Raportin e Komisionit Hetimor mbi dëbimin e paligjshëm të gjashtë shtetasve turq që jetonin legalisht në Kosovë, raport ky i cili gjeti 31 shkelje, përfshirë këtu edhe shkelje serioze të të drejtave të njeriut, si dhe procedurave ligjore. Prokuroria ndoqi disa nga shkeljet e pretenduara duke i hetuar dhe paditur disa zyrtarë të policisë që ishin të përfshirë në operacion. Shumica e komisioneve të tjera hetimore nuk e përfunduan punën e tyre. Kuvendi ka nevojë të ndërtojë ekspertizë të specializuar me qëllim që t’u jepet mbështetje më efikase parlamentarëve dhe komisioneve”, thuhet në Raportin e BE-së për Kosovën.

Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se jo vetëm komisionet hetimore, por edhe ato funksionale po dështojnë që ta ushtrojnë rolin e tyre mbikëqyrës karshi Qeverisë dhe institucioneve të tjera të shtetit.

“Në përgjithësi Kuvendi i Kosovës këtë vit ka qenë shumë joaktiv. Qoftë përmes komisioneve që janë krijuar për hetimin e rasteve të veçanta por edhe komisionet funksionale të cilat ekzistojnë tash e disa legjislatura. Sa i përket punës së këtyre komisioneve ne mund të themi se ajo çfarë mungon është roli mbikqyrë i këtyre institucioneve karshi Qeverisë apo ekzekutivit”, ka deklaruar Njomza Arifi.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, thekson se komisionet hetimore dështojnë në rastet kur udhëheqin partitë në pushtet për shkak se, sipas saj, veprimtaria e tyre implikohet në hetime, prandaj nuk është në interes të tyre nxjerrja e rezultateve.

“Ne kemi shumë raste kur prokuroria qëndron heshtur. Kemi edhe rastin e shumë komisioneve para kësaj legjislature kur edhe pse kanë dalë raporte tejet të mira, kanë konstatuar gjendjen, nuk kemi pasur asnjë ndërhyrje apo iniciativë prej Prokurorisë”, ka pohuar Pacolli.

Pavarësisht se deri më tash nuk kanë treguar ndonjë efekt, edhe në këtë legjislaturë vazhdojnë të punojnë tri komisione hetimore. Ai në lidhje me procesin e privatizimit në Kosovë, Komisioni hetimor për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe Komisioni për hetimin e procesit të dhënies së lejeve për hidrocentralet.

Të ngjashme