Veteranët e Organizatës së Luftës së UÇK-së, gjatë një vizite, që kanë zhvilluar në zyrën e kandidatit të pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari, i premtuan se vota e tyre do të jetë për të.
Këshilli Drejtues i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i drejtuar nga kryetari Emin Lati dhe i shoqëruar nga kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, vizituan kandidatin e pavarur për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, duke i uruar kandidaturën e tij për kryetar, thuhet në një komunikatë shtypi të kësaj organizate.
“Z. Bekim Jashari, veteranët i priti me zemërgjerësi në zyrën e tij në Skenderaj ku biseduan për shumë gjëra që i preokupojnë kategoritë e dala nga lufta e lavdishme çlirimtare. Z. Jashari u zotua se, gjatë mandatit të tij, do të bëjë përpjekje maksimale që këto kategori të kenë përkrahjen dhe kujdesin e duhur nga ana e tij dhe e stafit komunal që ai do ta drejtojë”.
“Kurse Kryetari Emin Lati, Hysni Gucati dhe Këshilli Drejtues, në emër të të gjithë Veteranëve, Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës të UÇK-së të Degës Skënderaj, duke i uruar fitore në zgjedhje dhe suksese në punën e tij si Kryetar i ardhshëm i Komunës së Skenderajt, u zotuan se vota e tyre do të jetë për Kandidatin e Pavarur Z. Bekim Jashari”, thuhet aty.