Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nesër nga ora 10:00 do të protestojnë para Kuvendit të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku.
Ai tha se kjo protestë do të mbahet për shkak të “diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjarëve të dëshmorëve”.
“Meqenëse të hënën me datë 06.06.2022 në ora 11:00 do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë e parë e rendit të ditës është miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale, u vendos që të kundërshtohet kjo. Në takimin me degë, u vendos që të hënën me datën 6 qershor 2022, Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, prej orës 10:00, të organizojnë protestë para Kuvendit të Kosovës kundër diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve”, ka shkruar ai në Facebook.