Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka vizituar Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se, si çdo herë, edhe sot u ndje krenar me OVL UÇK-në.
Ministri Reçica bashkë me kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucati, kanë diskutuar për gjendjen e veteranëve në ketë situatë të vështirë pandemike dhe për tema tjera me interes të përbashkët.
Ministri i Reçica e ka njoftuar kryetarin Gucati dhe mori mbështetjen e plotë të tij për nismat e MPMS-së lidhur me ndryshimet e nevojshme ligjore që ua mundëson të gjithë veteranëve të luftës së UÇK-së të drejtën për të punuar ne sektorin privat, si dhe për lejimin e përfitimit edhe të pensioneve meritor për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës.
Në këtë takim, ministri Reçica i dha mbështetje kryetarit të OVL UÇK-së, Hysni Gucati, që të gjitha hallet dhe kërkesat e tyre do realizohen konform mundësive buxhetore dhe legjislacionit në fuqi.