Prokuroria Speciale e Kosovës ka larguar 738 emra nga lista e veteranëve që konsiderohet se kanë përfituar jashtëligjshëm pensione.
Për këtë, lajmi.net ka raportuar dje ekskluzivisht, teksa ka siguruar edhe aktakuzën e re të Speciales që është dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kundër 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit, shkruan lajmi.net.
Në aktakuzën e parë përfshiheshin hiç më pak se 20.238 emra që marrin kundërligjshëm pension të veteranit të luftës nga ku prokuroria kishte kërkuar që të pezulloheshin pensionet për gjithë emrat e përfshirë në aktakuzë.
Pensionet nuk u ndalën ndërsa aktakuza me përmirësime thotë se tani në listën e veteranëve të rrejshëm janë 19.500.
E kjo kategori po i kushton mjaftë shumë buxhetit të Kosovës.
Vetëm për tre muajt e fundit, gati 20 milionë euro janë shpenzuar për pensionet e veteranëve.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në një përgjigje për lajmi.net ka bërë të ditur se gjatë muajit korrik pensione kanë përfituar 38 mijë e 74 persona. Shuma që është shpenzuar është 6 milionë e 388 mijë e 344 euro.
Në gusht, 38 mijë e 103 veteranë, buxhetit të shtetit i kushtuan 6 milionë e 390 mijë e 770 euro.
E në shtator, për 38 mijë e 120 veteranë, u shpenzuan 6 milionë e 398 mijë e 716 euro.
Në total, për tre muajt e fundit për këtë kategori janë hargjuar 19 milionë e 177 mijë e 820 euro.
Kosova për shumën e madhe që hargjon për veteranët e UÇK-së ishte kritikuar edhe nga ndërkombëtarët.
Kujtojmë deklaratën e ambasadorit zviceran, Jean Humber Lebet, i cili kishte pasur përplasje të ashpra me qeveritarët në Kosovë lidhur me këtë çështje.