“Lironi të burgosurit politik” ishte parrulla që u shpalos sot nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, afër Burgut të Lipjanit, ku po mbahet i burgosur aktivisti Atdhe Arifi.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe familjarë të aktivistëve të arrestuar thirrën para këtij burgu gjatë kohës së shëtitjes së burgut, emrin e Atdheut, Astritit dhe Egzonit.
Siç thuhet në njoftimin e VV-së, përmes një zërimi të lartë që mund ta dëgjonin edhe të burgosurit që ndodheshin në oborr, mbajtën fjalime edhe deputetja Donika Kadaj dhe Sami Kurteshi.
Kadaj tha se përgjatë dekadave të kaluara të rinjtë arrestoheshin vetëm pse besonin në Republikë dhe se kishin kërkesa të drejta politike.
“Të rinj të tjerë, studentë guximtarë, mendje të lira po mbahen të burgosura. Sot Atdheu, Adea, Frashëri, Petriti, Astriti, e Egzoni po persekutohen përsëri, por kësaj here nga regjimi vendas dhe po vazhdojnë të mbahen në burg dhe arrest shtëpiak në procese komplet të montuara politike”, tha Kadaj, transmeton EkonomiaOnline.
Ajo tha se “Klani ‘Pronto’ mobilizoi policinë, prokurorinë dhe gjykatat e veta të emëruara më parë që t’i shërbejnë përulësisht në qëllimin e tyre për ta shtypur opozitën. Prandaj filluan përndjekjet, bastisjet dhe burgosjet prandaj po vazhdojnë t’i mbajnë në burg të pafajshëm”.
Ajo shtoi se mendjet dhe vullneti i aktivistëve janë më të fuqishme sesa e tërë armata e prontove dhe vartëseve te tyre.
Sipas Vetëvendosjes sot janë bërë 47 ditë të vuajtura prej 6 aktivistëve.
“Ky dënim është i padrejtë. Ata po i vuajnë pasojat e shtetit autoritar e të kapur i cili përmes metodave policore ka montuar këtë rast për gjashtë aktivistë të pafajshëm. Ata janë në burg pa asnjë provë e as fakt. Ne do të kërkojmë pareshtur drejtësi deri në çmontimin e këtij rasti dhe vendosjen e drejtësisë për këtë rast. Liri dhe drejtësi do të jenë thirrjet tona të vazhdueshme deri sa të lirohen këta aktivistë që po mbahen padrejtësisht”, thuhet në kumtesën e VV-së.