Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se qysh nga e hëna do të hapin zyrat nëpër Kosovë, derisa sot është hapur zyra qendrore në lagjen “Arbëria”.
Në faqen zyrtare të Vetëvendosjes kanë bërë të ditur se që më shumë se një muaj i kanë mbyllur zyrat, derisa, pas masave të MSH’së kanë vendosur që të rihapin ato me orar të kufizuar.
“Pandemia vërtet na rrezikon të gjithëve, por për dallim nga shtetet tjera ku të gjithë u bënë bashkë për t’u përballur me virusin, në vendin tonë disa parti të vjetra u bënë aleate të virusit, dhe midis pandemisë po duan ta formojnë një qeveri të re në mënyrë antikushtetuese. Këtë rrezik të ri, që na vjen me staf të plotë nga e kaluara do ta kufizojmë e minimizojmë, me mbështetjen popullore, kujdesin, disiplinën dhe punën që na u besua me datë 6 tetor”, shkruhet në njoftimin e LVV’së.
Njoftimi i plotë:
Duke ndjekur me disiplinë të plotë këshillat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për më shumë se një muaj, edhe ne në Lëvizje i mbyllëm zyrat tona dhe kështu kontribuuam në zvogëlimin e qarkullimit dhe të kontakteve. Tash që masat e udhëhequra nga ministria e Shëndetësisë rezultuan të suksesshme dhe përhapja e virusit është zvogëluar po krijohen mundësitë që të lehtësohet qarkullimi, gjë e cila po ndodh edhe në rajon e në botë.
Në këtë drejtim, me një kujdes të shtuar, duke respektuar distancën dhe duke ndjekur masat e sigurisë të institucioneve shëndetësore, Lëvizja Vetëvendosje do t’i rihapë zyrat e saj nëpër qytete dhe fshatra të vendit, me orar e staf të kufizuar. Nga sot është hapur zyra jonë qendrore në Lagjen “Arbëria”, në Prishtinë dhe zyra e Qendrës së Prishtinës, ndërsa ditëve në vijim rihapen edhe mbi 30 zyret e tjera të Lëvizjes anembanë Kosovës.
Pandemia vërtet na rrezikon të gjithëve, por për dallim nga shtetet tjera ku të gjithë u bënë bashkë për t’u përballur me virusin, në vendin tonë disa parti të vjetra u bënë aleate të virusit, dhe midis pandemisë po duan ta formojnë një qeveri të re në mënyrë antikushtetuese. Këtë rrezik të ri, që na vjen me staf të plotë nga e kaluara do ta kufizojmë e minimizojmë, me mbështetjen popullore, kujdesin, disiplinën dhe punën që na u besua me datë 6 tetor.