Javën që shkoi Kuvendi i Kosovës nuk arriti që të miratojë draft- rezolutën për liberalizimin e vizave e cila do t’i dërgohej Brukselit.
E gjithë kjo ndodhi për shkak të mospajtimeve që kishte opozita lidhur me përmbajtje e kësaj draft- rezolute.
“Kjo draft-rezolutë u tërhoq javën e kaluar nga votimi në Kuvend ngase nuk u arrit të dakoroheshim me opozitën për shkak të qëndrimeve të tyre të ngurta që bashkërisht ta votonim e më pas përmes diplomacisë parlamentare të kërkohet mirëkuptim nga vendet e Bashkimit Evropian që të mundësohet e drejta për lëvizje të lirë në zonën Shengen. Angazhimet dhe përpjekjet tona për të gjetur zgjidhjen e kësaj çështje do të vazhdojnë në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm në mënyrë që të sigurojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit tonë gjithashtu integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Reçica.
Ai theksoi se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi tashmë paraqet një situatë e cila lidhet drejtpërdrejt me vendimin për liberalizimin e vizave.
“Në këtë kuadër po bëhen përpjekje për t’i dhënë zgjidhjen e drejtë dhe të duhur kësaj çështje, kërkohet angazhim i përbashkët i të gjitha palëve që t’i japim zgjidhje, tashmë kemi qëndrimet e njohura të qeverisë, të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës”, tha Reçica.
“Draft deklarata e sjellur në Komisionin për Punë të Jashtme është hartuar nga kabineti i Kadri Veselit. Kjo draft deklaratë e cila është boshe për nga përmbajtja, u soll befasisht dhe nuk u lejua asnjë ndërhyrje në tekst nga opozita”, theksoi Dërguti në një prononcim për Telegrafin.
Ajo ka shtuar se një proces tjetër e që ka qëllimin e njëjtë, ka filluar muaj më parë me ndërmjetësimin e Naimi Rashitit, drejtor i Balkans Policy Research Group.
“Përmes këtij procesi është arritur që për herë të parë të ulen bashkë të gjitha subjektet politike brenda Kuvendit. Aktualisht, draft deklarata për demarkacionin e diskutuar në këtë tryezë për muaj të tërë, është shumë afër finalizimit”, tha Dërguti.
Dërguti e cila është edhe nënkryetare e Kuvendit shtoi më pas se iniciativa e kabinetit të Kadri Veselit e proceduar përmes Komisionit për Punë të Jashtme, është dublifikim i panevojshëm i procesit në këtë moment, kur dihet se ndodhen në prag të gjetjes së konsensusit për demarkacionin.
Hartimi i kësaj draft-rezolute është ndërmarrë me nismën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Vesei dhe Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, për të nxjerrë një deklaratë të përbashkët të grupeve parlamentare ku do të zotoheshin se do të përkushtoheshin me qëllim të përafrimit të qëndrimeve për çështjen dhe kriteret e demarkacionit, si dhe me këtë deklaratë t’i njoftonin vendet e BE-së për te drejtën e qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë.