Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë sot gjatë një konference për media se nga përgjimet e publikuara dje, doli edhe më hapur skema e krimit në Kosovë.
“Adem Grabovci është ekzekutori i urdhrave të Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Veseli ka udhëhequr krimin e nëntokës para se të vijë në PDK. Ky nënshkroi marrëveshje kundër nepotizmit, gjoja me i ndaluar punësimet familjare, por ne e dimë që kjo nuk do ndalet deri të përballet me popullin”, tha Sveçla.
Sipas tij, kompania “Ferronikeli” po i shpunëson masivisht punëtorët e vet dhe po shkon drejt mbylljes.
“Tash mund ta kuptojmë pse në Kosovë është rrënuar ekonomia. Organizimi kriminal që ka shkaktuar varfërinë e papunësinë që po jeton populli ynë. Këta do të rrëzohen nga viktimat e panumërta që jemi ne populli i Kosovës. Thika ka ardhur në asht e populli nuk ka çka të pres më”.
“Hajnat e vrasësit nuk munden të na ofendojnë”, ka theksuar Sveçla.
Ai ka thënë se qytetarët do ta shprehin zemërimin në protestën e radhës që do ta thërrasin së shpejti. “Nëse ka ndonjë prokuror të ndershëm ai duhet të dëshmohet në këto përgjime që duhet hetuar”.
Ndërsa, deputetja e VV-së, Donika Kadaj-Bujupi, e akuzoi presidentin e Kosovës Hashim Thaçin se është kryekriminel, duke thënë se edhe qëndrimi i LDK-së karshi ngjarjeve është i turpshëm.
“Në vend që të distancohet nga ky koalicion po dëgjojmë deklarata të Mustafës që Thaçi qenka president i shkëlqyeshëm”.
“Është e dhimbshme që anëtarësia e LDK-së votoi kundër ‘Prontos’ e në fund u mashtruan nga Isa Mustafa. Nuk kemi dëgjuar që as AAK-ja të reagojë, a të kritikojë në lidhje me këto skandale. Ky është konfirmim i një marrëveshje të fshehtë”.
“Kjo është pasqyruar edhe më herët. Sot kur të gjithë do duhej të ishim bashkë kundër krimit, LDK e AAK po vazhdojnë të qëndrojnë të heshtur”, ka shtuar Kadaj-Bujupi.
Sipas saj, për LDK-në është momenti i fundit ta prishë koalicionin me PDK-në dhe AAK-ja të heq dorë nga marrëveshjet, siç tha ajo, “me këta kriminelë”.