Lëvizja Vetëvendosje marrëveshjen e arritur ndërmjet VALA-s dhe Z-Mobile, për “shpëtimin” e PTK-së nga falimentimi, e konsideron mashtruese.
Anëtari i kësaj lëvizje, Ismet Hamiti, njëherësh kandidat për deputet në një konferencë, të përbashkët me Albin Kurtin ka thënë se kontrata mes PTK-së dhe Z-Mobile është krijuar “për të plaçkitur shtetin”
“Për dhjetë vjet kemi vërë në dukje se Z-Mobile është mekanizëm i krijuar për të plaçkitur pasurinë publike në vend. Kemi vënë në dukje po ashtu se kjo kontratë është produkt i krimit të organizuar dhe për këtë arsye rastin e kemi paraqitur të prokurori i shtetit”, ka thënë ai.
Sipas tij marrëveshja që është bërë mes PTK dhe Z – Mobile është marrëveshje ku përmasat e këtij krimi dyfishohen.
“Arbitrazhi e ka ngarkuar PTK-nn ë me shumën prej 32 milionë euro dhe me këtë marrëveshje Z-Mobile heq dorë nga kjo shumë. E në këmbim të saj PTK obligohet t’ia jep Z-Mobile edhe 100 mijë klientë të ri. Për 8 vjet me radhë Z-Mobile nuk do t’ia paguajë asnjë cent PTK-së për shfrytëzim të internetit 3G e 4G”, ka thënë ai.
Sipas Hamitit pasojat e kësaj marrëveshje janë humbja e 100 mijë klientëve të Valës.
“Si përfundim Z-Mobile heq dorë nga 32 milionë euro për të fituar 136 milionë euro të tjera. Zbatimi i kësaj marrëveshje do ta falimentonte PTK-në për së paku dy vjet dhe është marrëveshje e një individi dhe nuk është e miratuar nga Bordi sepse PTK nuk ka Bord. Përgjegjës të drejtpërdrejtë janë kryeministri në detyrë Isa Mustafa, ministri në detyre i financave Avdullah Hoti dhe ai i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci është detyrë e tyre që ta shkëpusin këtë kontratë”, ka thënë ai.
Kurse Albin Kurti tha se këtu nuk bëhet fjalë që PTK do të shpëtojë nga arbitrazhi por kjo marrëveshje do të jetë në të mirë të Z-Mobile.
“Me qeverinë e Vetëvendosjes pas 11 qershorit ne ju garantojmë që do ta shpallim gjendjen e krizës në Postën dhe Telekomin e Kosovës, do të emërojmë menaxhment të krizës, do të bëjmë rikonstrukturim të PTK-së në mënyrë që kjo korporatë shumë e rëndësishme për ekonomin e Kosovës të bëhet shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe e buxhetit të Republikës”, ka thënë ai.