Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, i cili është edhe pjesë e grupit punues për harmonizimin e qëndrimeve për bashkëqeverisje me LDK-në, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar zhbërjen e vendimeve të Qeverisë në largim. “Ata që keqpërdorin tranzicionin qeverisës, do të mbajnë përgjegjësi. Vendimet dhe emërimet e tyre do të zhbëhen”, ka thënë ai.
Paralajmërimi i Bislimit vjen pasi ministri dhe agjenci qeveritare kanë hapur vende të reja pune dhe kanë bërë avancime të stafit të tyre.
“Ata që keqpërdorin tranzicionin qeverisës, do të mbajnë përgjegjësi. Vendimet dhe emërimet e tyre do të zhbëhen”, ka paralajmëruar Bislimi, përmes një postimi në Facebook.
Bislimi ka thënë se ajo që ka ndodhur në terren ka qenë e kundërta e asaj që pritet nga një qeverisje në dorëheqje me minimumin e përgjegjësisë.
“Ndërmarrjet publike e Ministritë e ndryshme, përmes konkurseve fiktive kanë bërë premtime të pambuluara për punësime me të vetmin synim ‘blerjen” apo korruptimin e mbështetjes politike”.
Postimi i plotë i Bislimit:
“Ata që keqpërdorin tranzicionin qeverisës, do të mbajnë përgjegjësi. Vendimet dhe emërimet e tyre do të zhbëhen.
Në konferencën e parë për media pas dorëheqjes së Qeverisë Haradinaj kemi kërkuar që periudha e tranzicionit drejt qeverisë së re të mos keqpërdoret politikisht për të vazhduar implementim të çfarëdo programi të saj qeverisës, të mos avancojë me asnjë vendim në çështje të rëndësisë së lartë siç janë ato të lidhura me Trepçën, Telekomin dhe ndërmarrjet tjera publike, Kosovën e Re, Autostradat, Homologimin apo Z-Mobile, dialogun, draftimin e buxhetit, emërimet politike dhe diplomatike, keqpërdorimi politik i aseteve publike e të ngjashme.
Ajo që ka ndodhur në terren ka qenë e kundërta e asaj që pritet nga një qeverisje në dorëheqje me minimumin e përgjegjësisë. Ndërmarrjet publike e Ministritë e ndryshme, përmes konkurseve fiktive kanë bërë premtime të pambuluara për punësime me të vetmin synim “blerjen” apo korruptimin e mbështetjes politke.
Ndërmarrjet publike si Telekomi po punojnë me të madhe në rehatime përmes koeficientëve të miqve të establishmentit politik, me shpresë që kështu jo vetëm do të mund të garantohet mirëqenia e zyrtarëve jokompetentë por lojal, por edhe do të sabotohen reformat e qeverisë së re. Njoftojmë publikisht menaxhmentin e këtyre ndërmarrjeve publike, që secila ndërhyrje në emërime, ristrukturime dhe ndryshim koeficientësh gjatë kësaj periudhe do të anulohet menjëherë sapo të fillojë punën qeverisja e re, kurse menaxhmenti bashkë me bordet mbikëqyrëse që kanë aprovuar apo toleruar këto manipulime do të mbahen përgjegjëse.
Institucionet me rëndësi të veçantë si psh. Doganat e Kosovës, por edhe shumë agjencione e Ministri tjera, njoftohen që secili konkurs i tyre, “ristrukturim politik” apo emërim, do të anulohet menjëherë pasi të fillon punën qeverisja e re, kurse personat që janë bërë pjesë e këtyre manipulimeve do të thirren në përgjegjësi.
Zyrtarët publikë dhe të punësuarit në ndërmarrje publike e agjencione të pavaruara udhëzohen të mos aplikojnë nëpër këto konkurse fiktive, kurse ata politikanë që po mendojnë se në këtë mënyrë e pamundësojnë punën e qeverisë së re dhe e sabotojnë të njejtën këshillohen të mos bëjnë mund kot, sepse frymën e ndryshimit s’do mund e ndalin asesi”, ka shkruar Bislimi.