Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm që iu bë gazetarit Parim Olluri. Në një njoftim dërguar medieve, VV ka thënë se sulmet ndaj gazetarëve janë të patolerueshme e që tregojnë cenimin e shprehjes së lirë të fjalës.
Komunikata e plotë e VV-së:
Sulmi ndaj gazetarëve është i papranueshëm e patolerueshëm. Lajme të tilla, sikur ky për sulmin ndaj gazetarit Parim Olluri, që tregon edhe për cenim të shprehjes së lirë dhe sigurisë fizike të gazetarëve, na lëndojnë të gjithëve.
Organet e drejtësisë duhet ta zbardhin sa më shpejt këtë rast duke e trajtuar me prioritet. Sidoqoftë, nuk ka asnjë arsyetim mbi këtë ngjarje të shëmtuar e gjithashtu nuk ka kurrfarë justifikimi që zbardhja e këtij rasti të zvarritet si njëra prej lëndëve të pazgjidhura nga organet e drejtësisë.
Ne i urojmë shërim gazetarit Parim Olluri dhe bashkëshortes së tij dhe shpresojmë ta tejkalojnë lehtësisht këtë ngjarje.
Liria e shprehjes e kritikës duhet të mbetet një prej shtyllave që kërkojnë më së shumti angazhim për t’u realizuar si shoqëri demokratike. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! shprehin solidaritetin e tyre me gazetarin Olluri.