Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie, ku shpalosi idenë rreth dënimit të personave që kryen krime lufte, raporton Ekonomia Online.
Deputeti Sami Kurteshi tregoi se çka do bëjë VV nëse vjen në pushtet rreth krimeve të luftës si dhe tregoi se çfarë ka bërë Lëvizja deri tani në këtë aspekt.
“Qysh në vitin 2010 Vetëvendosje ka dërguar dëshmi nëpër komuna me lista të njerëzve që kanë kryer krime, i kemi ridorëzu përsëri më 2011. Vetëvendosja është pengu në forma të ndryshme nga mazhoranca, pra nga shumica. Rezolutën e Vetëvendosjes me çështjen e krimeve të luftës e kemi dërgu në gusht të vitit 2015”.
Ai tha se nëse VV-ja do të ishte në qeveri, do të themelohej me ligj një instituti për hulumtimin e krimeve të luftës që do të ketë mision të përcaktuar qartë, me financa adekuate dhe do të angazhojë njerëz kompetent për këtë institut.
“Instituti duhet të jetë i përhershëm. Duhet të krijohet komision parlamentar i përhershëm që do të merrej me krimet e luftës, do të ishte hallkë lidhëse mes qeverise dhe institutit. Do të krijohet një dhomë e veçantë e përhershme në prokurori për krimet e gjenocidit, me numër të mjaftueshëm të prokurorëve, dhomë e veçantë gjyqësore brenda gjyqësorit në Kosovë. Brenda Policisë së Kosovës duhet të jetë një njësit për krimet e luftës që do të merrej me ndjekjen e atyre që kanë kryer krime të luftës dhe sjellje e tyre para drejtësisë. LVV do të bëjë një legjislacion të veçantë për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave”, tha ai.
“…Krijimi i një dhome të veçantë të specializuar për krime lufte dhe krimet me njerëzimin me numër të caktuar të prokurorëve që merren vetëm me këtë çështje e jo raste tjera. Po ashtu krijimi i një dhome të veçantë të gjyqtarëve të trajnuar dhe të specializuar vetëm për krimet e luftës”.
“…Duhet krijuar një degë e veçantë brenda UP për edukimin dhe specializimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që do të merren me gjenocidin”, shtoi ai.
Sipas Kurteshit, të gjitha këto janë të munduar pa ndihmën e të tjerëve vetëm se duhet vullnet politik nga institucionet brenda Kuvendit.
I pyetur nga gazetarët për publikimin e fotografisë nga deputetja Flora Brovina, ai tha se dëmi është i jashtëzakonshëm.
“Dëmi është i jashtëzakonshëm, publiku i ka pa të gjitha dhe është jashtëzakonisht i shqetësuar. Këta njerëz që e kanë kap shtetin janë në gjendje të bëjnë shumë të zeza të mëdha dhe ja bënë edhe këtë të zezë Kosovës” tha Kurteshi.