Vetëvendosje e ka cilësuar ministren Edita Tahiri një “shërbyese të bindur” të dialogut me Serbinë të cilës askush nuk i beson, ndërsa ka shprehur bindjen se ura mbi Ibër nuk mund të lirohet me negociata me Serbinë.
“Dje kuptuam se Edita Tahiri, shërbyesja e bindur e dialogut me Serbinë, dialog të cilës askush më nuk po i beson, po e vazhdon pandalshëm avazin e takimeve me zyrtarët e Serbisë”, thuhet në njoftimin për media të Vetëvendosjes.
“Sërish paska nënshkruar Marrëveshje me Serbinë për lirimin e urës mbi lumin Ibër. Çështja e parë që të bie ndërmend është fakti skandaloz që tashmë është normalizuar. Për urën mbi lumin Ibër, palë e pakontestueshme është Serbia. Pra, që ura mbi Ibër të lirohet, apo sovraniteti shtetëror të shtrihet në këtë pjesë të vendit, na duhet leja e Serbisë. Situata bëhet tragjikomike kur e sheh se as pas gjithë këtyre viteve negociata nuk e kanë kuptuar që këtë leje s’do ta marrin ndonjëherë”, thuhet më tej në këtë reagim.
“Shërbyesja e dialogut që hiqet si diplomate, siç janë diplomatët e PDK-së, diçka nuk po tregon lidhur me këtë marrëveshje: çfarë ka ndodhur me kufijtë administrativë të komunave?! Serbia po kërkon që lumi Ibër të bëhet edhe vija ndarëse etnike midis dy anëve të qytetit. Kjo është arsyeja pse deri më tani nuk kemi pasur përparim në lirimin e urës”.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon përgjigje të menjëhershme mbi këtë marrëveshje.
“Përvoja na mëson se mostransparenca është gjithnjë indikacion për përmbajtjen e dëmshme të Marrëveshjes. Çfarë vendimi është marrë lidhur me vendbanimet shqiptare në veri? A janë ndërruar kufijtë administrative në Lagjen e Doktorëve, Suhodoll, Gushavc, Vinarc dhe Vidimiriq? Përgjigju Edita Tahiri!”, thuhet në reagim.