Ditë më parë në lokalin “Bon Vivant“ ndodhi një krim që për pasojë pati një të vrarë dhe disa të plagosur rëndë dhe lehtë. Ky krim që ishte krejtësisht i natyrës kriminale, përmes përpjekjes të ngjyroset politikisht, nga krerët më të lartë të shtetit u keqpërdor për të sulmuar sistemin e drejtësisë (që udhëhiqet nga pozita aktuale), si “fakt“ për të realizuar synimin e gjakuar skajshmërisht; ndryshimet në Këshillin Prokurorial të Kosovës përmes futjes nën kontrollë politike. Po keqpërdoret skajshmërisht një nismë e propozuar nga një subjekt tjetër politik, Vetingu apo kontrolli i imtësishëm i figurës së dikujt përpara se t’i një pozicion pune, një titull apo një çmim përkatësisht siç ishte menduar në Kosovë; rivlerësimi i figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar, politikës, grupeve të interesit apo elementëve tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë e që drejtpërsëdrejti do të ndikonte në rritjen e tyre profesionale. Si nismë nuk duhej të kishte vërejtje dhe nuk do të duhej të kundërshtohej nga askush, pozitë apo opozitë sikur edhe nga akterët tjerë. Këtë e kanë bërë të gjitha shtetet që janë ballafaquar me shkelje të rënda të drejtave të njeriut, ku është instaluar korrupsioni i profilit të lartë dhe ku krimi i organizuar, nga hija ka pasur kapacitet vendimmarrës më shumë se institucionet legale. Ky proces ka hyrë në rrugë të mbarë në Shqipëri duke dhënë rezultate të prekshme dhe të matshme.
Po ta kishte pranuar Kuvendi i Kosovës propozimin e KMDLNj–së për miratimin e Ligjit për Lustracion të Figurave Publike, çështja e vetingut do të shndërrohej në çështje teknike. Propozimi i KMDLNj–së për këtë ligj është dikun në arkivat e Kuvendit të Kosovës nëse në ndërkohë nuk hedhur në shportën e mbeturinave. Pas aktit kriminal në lokalin “Bon Vivant“ u kërkua që me urgjencë të formohet Policia e Kryeqytetit pa pasur as njohuri elementare se çfarë kompetencash do të kishte kjo polici. Sipas Ligjit, kjo Polici vetëm do t’iu asistonte institucioneve komunale në kryerjen e punëve e që do të pamundësoheshin apo pengoheshin nga qytetarët. Kjo Polici, aktualisht është jashtëzakonisht e nevojshme për Prishtinën në menaxhimin e grumbullimit të mbeturinave që e kanë mbuluar kryeqytetin, duke ndihmuar drejtorinë dhe ndërmarrjen përkatëse në kryerje të punëve që janë nën përgjegjësi të tyre. Nisma për Veting ka qenë propozim kurrizor elektoral i pozitës aktuale e që pastaj u degëzua në; reforma në KPK, Veting dhe Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Kundërligjshme. Krejt në rregull sikur që të mos ishte motoja e militarizuar; “populli bërtet për Veting“.
Këto propozime të, atëherë opozitës e tash pozitës, do të paraqisnin sfidë edhe për shtetet që e kanë sistemin e drejtësisë thuaja të konsoliduar, një demokraci të qëndrueshme dhe një konsensus shoqëror dhe politik e lëre më për Kosovën që është duke i bërë hapat e parë për konsolidim të sistemit të drejtësisë, ka një demokraci fragmentare dhe të brishtë sikur që mungon konsesusi politik dhe shoqëror për faktin se ekziston rreziku shumë i mundshëm që pozita ta përdorë si armë legale kundër opozitës. Kjo ka ndodhur edhe në vendet shumë më të zhvilluara se Kosova.
Pas kësaj, KMDLNj–ë ka një pyetje publike për institucionet e Kosovës; pse askush nuk fletë, nuk propozon apo nuk ndërmerr ndonjë veprim për miratimin e Ligjit për Lustrimin e Figurave Publike?! Si pikënisje bindëse do të shërbenin aktakuzat dhe aktgjykimet kundër ish të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi dhe në Serbi ku qartazi bëhet fjalë për shkelje drastike të të drejtave të njeriut për shkak të bindjeve politike. Aty janë emrat e hetuesve policorë, prokurorëve dhe gjykatësve, një pjesë e të cilëve e kanë vazhduar punën edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë në pozita të njëjta ku përsëri mund t’i shkelin të drejtat e njeriut. Tani në shërbim të partive politike. Aty gjeni emra të hetuesve ushtarakë, prokurorëve ushtarakë dhe gjykatësve ushtarakë për keqtrajtimin, arrestimin, gjykimin dhe vrasjen e ushtarëve shqiptarë në ish armatën jugosllave. Aty keni emrat e dëshmitarëve që kanë dëshmuar në këto procese e që pas përfundimit të luftës kanë poste institucionale në politikë apo jetën shoqërore publike. Asnjëherë nuk janë distancuar nga dëshmitë e rrejshme.
A ka Kosova kapacitet të mjaftueshëm për këto procese shumë me peshë dhe rëndësi: Çdokush që është ballafaquar profesionalisht me këto procese në vendet tjera (Shqipëria si pikë referuese) e ka të qartë se Kosova nuk ka potencial profesional të mjaftueshëm të dalë ballë këtyre proceseve, sidomos në procesin e Vetingut. Dëshira e sinqertë apo dëshira për përmbushje të premtimeve elektorale janë në shpërputhje të madhe me mundësitë reale. Prandaj ky proces, nëse bëhet me nguti dhe pa një konsensus të gjerë, mund të degradojë në një luftë ndërpartiake që do ta pamundësojë për një kohë të gjatë jetësimin e kësaj nisme.
Mëdyshja tjetër e KMDLNj–së është se kush do ta bëjë Vetingun e atyre që do ta bëjnë Vetingun pavarësisht emërtimit që do ta ketë ky grup profesionistësh?! Edhe kjo është hallkë e dobët që e bënë thuaja të papërdorshëm zinxhirin juridik. Në Shqipëri vëzhguesi ndërkombëtar e ka peshën më të rëndë se krejt anëtarët tjerë shqiptarë. Mbase kështu do të bëhet edhe në Kosovë.
Si të besohet se është qëllimi i sinqertë për reformë në drejtësi (duhet të ndodhë ky proces) kur një kohë aq të gjatë, me driblime politike nuk dekretohet Kryeprokurori i Shtetit dhe shtyhet me urgjencë ndryshimi i Ligjit për KPK–në në mënyrë që pastaj si Kryeprokuror i Shtetit të zgjidhet “Elezi“.
A mund të besohet se KPK dhe KGJK do ta ruajnë pavarësinë (si pushtete të ndara) në kohën kur nga qarqet më të larta shtetërore ka ndërhyrje publike në pavarësinë e këtyre institucioneve duke komentuar dhe gjykuar vendimet gjyqësore dhe punën e prokurorëve? Ndërhyrja e politikës dhe presioni publik ka ndikuar në vendime gjyqësore gjë që është në kundërshtim të plotë me parimin e prezumimit të pafajësisë dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Si mund të besohet se ka një qasje të drejtë dhe vullnet për luftimin e korrupsionit kur qartazi kërkohet luftimi i korrupsionit opozitar dhe mbrohet korrupsioni i pozitës?!
A mund të kemi besim në një sistem që në mënyrë paragjykuese, ende pa përfunduar procesi gjyqësor para Gjykatës Speciale në Hagë, publikisht shpallen fajtorë kurse, në anën tjetër ish ushtarë të Jugosllavisë dhe Serbisë emërohen në poste të rëndësishme politike duke sajuar arsyetime për të kaluarën e tyre. Vetëm sa nuk i shpallin ushtarë të UÇK-së në radhët e ushtrisë jugosllave dhe serbe?!
Në situatën aktuale, KMDLNj–ë mendon se paralelisht duhet të miratohet Ligji për Lustrim të Figurave Publike dhe, pas një konsensusi politik midis pozitës dhe opozites si dhe ai shoqërorë, duke bërë përmirësimet e duhura që do të jenë në pajtim me Kushtetutën, duhet të votohen dhe pakoja 3Z (Reforma, Vetingu dhe Byroja). Çdo përpjekje për të imponuar “rregullat e Gotit–arroganca e numrave“ vetëm sa do të vonojë këtë proces dhe do t’i nxjerrë punë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës apo edhe Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strazburg (nëse Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës). Do të sillemi në një qark vicioz, pa bërë asnjë zgjidhje!
(Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut – Shërbimi për Informim)