Në një shtëpi të vjetër, e cila vetëm sa nuk është shembur, e ndërtuar para më shumë së 70 vjetëve, bën jetë të vështirë, krejtësisht në vetmi, mbesa e Mehmet Gradicës, Hava (80), e vetmja që ende është në jetë nga trungu i nacionalistit dhe strategut të luftës së Shaban Polluzhës, i cili në shërbim të qeverisë shqiptare, në vitin 1941, kishte shërbyer shef xhandarmërie në Vushtrri, Skenderaj e Mitrovicë
Skenderaj. 72-vjetori i rënies së komandantëve Shaban Polluzha e Mehmet Gradica e gjen në vetmi dhe pa përkujdesjen e askujt mbesën e këtij të fundit, Haven (80), të vetmen që ende është në jetë nga trungu i nacionalistit dhe strategut të luftës së Shaban Polluzhës.
Ajo jeton në një shtëpi e cila vetëm sa nuk është shembur në Llaushë të Skenderajt.
E ndërtuar para më shumë se 70 vjetëve, kjo shtëpi tepër e vjetër saqë rrezikon edhe jetën e saj, është krejt pasuria që i ka mbetur mbesës së Mehmet Gradicës. Me gjithë moshën Hava gjen forcë për t’u përkujdesur për veten. Me 75 euro pension pleqërie ajo blen miell, kripë e ndonjë litër vaj. Thotë se dimri i fortë vetëm sa nuk e ka mbytur në dhomën e çarë në të gjitha anët. (Zeri)