Vetmia mendohet të jetë universale, e pashmangshme, e mundimshme dhe psikologjike. Jo vetëm Britania e Madhe, por edhe segmente të mëdha të popullsive post-industriale në të gjithë Europën, Shtetet e Bashkuara dhe Japoni, raportojnë nivele të larta të vetmisë, me pasoja serioze për shëndetin publik.
Gjetjet e një sondazhi të kohëve të fundit të BBC mbi vetminë – se një e treta e të anketuarve (55.000 në Britani të Madhe) thanë se ndihen shpesh të vetmuar, se kanë një lloj ndrojtje, që mund të prekë njerëzit në të gjitha fazat e jetës, dhe që është i lidhur me përdorimin e mediave sociale dhe të lidhura me shëndetin e dobët –japin detaje pas diskutimit të një “epidemie të vetmisë”.
Por as fiziciteti i vetmisë, dhe as origjina e tij, nuk pati shumë ndikim në studim. Dhe, siç e bën të qartë historia e saj, vetmia është më komplekse, sesa sugjeron shumica e analizës aktuale.
Shumica e hulumtimeve, e pranojnë rolin e modernitetit në këtë “epidemi” (rritja e familjeve të me një kryefamiljar, më pak ndërveprim ballë për ballë, ndikimi i mediave sociale), sikur të supozohej se njerëzit kanë qenë gjithmonë të vetmuar. Por nuk është kështu.
Vetmia si një problem, është një produkt i mënyrave bashkëkohore të të menduarit rreth vetes dhe shoqërisë. Para vitit 1800, fjala angleze “loneliness” (vetmi) nuk ekzistonte.
Njerëzit jetonin në komunitete të vogla, ata kishin prirje të besonin tek Zoti (gjë që do të thoshte se ata nuk ishin kurrë vetëm, edhe kur qenë fizikisht të izoluar) dhe kishin një koncept filozofik të bashkësisë si burim i së mirës së përbashkët.
Nuk kishte nevojë për një gjuhë të vetmisë. Natyrisht, ekzistonte dhe vetmia (kur nuk është e zgjedhur) që mund të dëmtonte, ashtu si vetmia sot. Por ankthi modern dhe ekzistencial i ndjenjës së vetmisë nuk mund të ekzistonte, pasi “individi” modern nuk u shfaq deri në shekullin XIX-të, me industrializimin në perëndim, dhe krijimin e sistemeve filozofike dhe politike, që u fokusuan tek individualizmi.
Mjekësia shkencore, e ndau mendjen nga trupi, duke identifikuar trurin si organ të njohurisë dhe mendjes. Emocionet patologjike, u përcaktuan si probleme “mendore”. Sot, organizata e shëndetit mendor “Mind”, e lidh vetminë me çrregullime të tjera mendore, përfshirë depresionin dhe ankthin. Ajo rekomandon terapitë e bisedimeve, që përqendrohen në shëndetin mendor, por mbikëqyr pjesën më të madhe të dimensionit fizik të vetmisë.
Dhe vetmia është fizike. Për më shumë se 2.000 vjet përpara zhvillimit të mjekësisë shkencore, mjekët kishin një qasje më gjithëpërfshirëse për shëndetin mendor dhe atë fizik. Ajo çfarë ishte duke ngrënë dhe pirë, lëvizjet, ajri, gjithçka ndikonte në emocionet e një personi.
Mjeku skocez i shekullit të 18-të, Uilliam Kallen, rekomandoi kalërimin për të forcuar fibrat e trupit dhe “shpirtrat” e tij. Ai e këshilloi zonjën Ri në vitin 1777, të angazhohej në takimin e miqve, duke shmangur vetminë e tepruar, dhe duke i dhënë mendjes “po aq vëmendje sa edhe trupi”, për të pasur një shëndet optimal.
Megjithatë në neurocentrikën e shekullin e XXI-të, ka pak diskutime për trupin e vetmuar.
Ne nuk jemi mësuar të shohim gjuhën e trupit të të tjerëve, për të parë nëse mund të zbulojmë vetminë (e cila për shkak se është një “grumbull” emocionesh – zemërimi, trishtimi, hidhërimi, frika – nuk ka një shprehje uniforme nga jashtë).
As nuk jemi të inkurajuar të punojmë me dhe përmes trupit, për të parandaluar ose lehtësuar vetminë. Kujdesi social është zhveshur, kështu që shumë njerëzve u mohohet ndihma për ilaçe, lëre me pastaj për “punët me trupin”.
Megjithatë ne e dimë që terapitë e masazhit e zvogëlojnë vetminë, veçanërisht në mesin e atyre ku prekja nuk është një pjesë e marrëdhënieve të tyre të përditshme.
Punonjësit e shëndetësisë në kujdesin paliativ, kanë zbuluar se masazhi prodhon një formë të “relaksimit ekzistencial”. Angazhimi i trupit dhe shqisave të tij, duket se i kthen njerëzit tek lidhshmëria shoqërore. “Spitz Charitable Trust”, ka një program muzikor që evoluon, i cili redukton vetminë tek njerëzit e moshuar.
Dhe ata me dementia mund të ringjallohen, duke dëgjuar muzikën e rinisë së tyre. Muzika ndikon pozitivisht në uljen e ndjesës së vetmisë në të gjitha moshat, siç shihet nga përdorimi i muzikës së kompozitoriy Najxhëll Osbourn, si dhe arteve krijuese për të mbështetur fëmijët e traumatizuar.
Vallëzimi bën bashkë lëvizjen dhe muzikën, dhe vallëzimi në një pistë, është gjetur se lehtëson vetminë tek të moshuarit në Brazil. Studiuesit zbuluan se ai rrit “mirëqenien mendore, emocionale dhe fizike”, si dhe i kundërvihet izolimit social.
Përveç ritualeve të përkatësisë që janë të përfshira në gatim dhe ngrënien së bashku, ushqimi sjell një ndjenjë të përkatësisë fizike. Duket sikur supa e pulës, siç e ka konstatuar një studim, është vërtet shumë e mirë për shpirtin.
E kundërta është se njerëzit e vetmuar mund të hanë me tepri, ose të bëhen të ndërvarur nga rehatia apo ushqimet e pashëndetshme, si një mënyrë për të mbushur një ndjenjë të “mungesës”.
Ushqimi, vallëzimi, muzika, masazhi, përpunimi i drurit – të gjitha sjellin elementë të kontaktit, lëvizjes dhe shqisave. Ata gjithashtu ftojnë ndjenja të ngrohtësisë fizike, ndërsa vetmia ndonjëherë përshkruhet nga të vuajturit prej “të ftohtit”.
Kjo gjuhë është e rëndësishme: njerëzit e vetmuar e ndiejnë të ftohtin, dhe vdesin për ushqimet e ngrohta dhe ngrohtësinë fizike, si një kundërpeshë fizike dhe metaforike.
Ne jemi qenie sociale, që lulëzojmë në lidhje fizike, mendore, emocionale dhe madje shpirtërore. Përgjigja ndaj vetmisë, sugjeron historia, nuk shtrihet tek të folurit mbi të, por duke lëvizur nëpër të; në gjetjen e lidhjes që punon me trupin po aq sa edhe me mendjen. E si ta arrijmë këtë?
Përpjekja për të ri-krijuar përvojën para vitit 1800 e komunitetit të vogël, nuk është domosdoshmërisht përgjigja. Unë dyshoj se kjo do të ishte tejet mbytëse për shumë njerëz. Por ne mund të fillojmë të investojmë më shumë në kujdesin shëndetësor dhe social, që pranon lidhjen mes shëndetit fizik dhe mendor, si dhe në programet që gjenerojnë dhe mbështesin komunitetet lokale.
Ne kemi nevojë për një kujdes shëndetësor, që është parandalues dhe jo reaktiv, që e sheh trupin më pak si një sërë pjesësh që do të trajtohen, sesa si një tërësi komplekse në të cilën ndjenjat arrihen përmes prekjes, tingullit, aromës, shijes dhe shikimit. (The Guardian)
***Autorja është shkrimtare, historiane, dhe bashkë-themeluese e Qendrës për Historinë e Emocionit në Universitetin Mbretëresha Meri në Londër. Libri i saj i ri “Një biografi e vetmisë”, do të publikohet vitin e ardhshëm