Insistimi i Qeverisë që në Kosovë të ketë Vetting në sistemin e drejtësisë ka vënë në pah dallimet që ka për këtë proces Qeveria dhe Këshillat në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ditë më parë kreu i Qeverisë Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu e kanë dorëzuarnë Kuvend dokumentin për Vettingun.
Përderisa nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e kanë quajtur “fontan dëshirash” procesin e Vettingut, ndërsa nga Qeveria e Kosovës, e konsiderojnë si realizim të reformës në drejtësi.
Nga njohësit e çështjeve të drejtësisë, ky proces po thotë se duhet të realizohet patjetër.
Avokati Yll Zekaj për Ekonomia Online, thotë sesi proces është i duhur për sistemin e drejtësisë, ndonëse jo ashtu siç ishte paraparë nga ana e Qeverisë së Kosovës.
“Faktikisht para disa ditësh e dërgoi në Kuvend, e njëjta në këtë dosje të Vettingut janë përfshirë të gjitha komentet e Komisionit të Venecias, që është fakt i gëzueshëm për komunitetin e juristëve, për shkak se kjo krijon një siguri juridike për të gjithë ata që do t’i nënshtrohen Vettingut. Jemi dëshmitarë të asaj që Komisioni i Venecias i dha dritë të gjelbër këtij procesi por jo në masën në të cilën e ka propozuar ministria e Drejtësisë, duke konstatuar se Vettingu në këtë fazë duhet të bëhet vetëm me krerët të sistemit gjyqësor, pra përfshirë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial, kryetarët e Gjykatave dhe kryeprokurorët e Prokurorive në Kosovës”, u shpreh Zekaj.
“Në bazë të asaj që ka propozuar Komisioni i Venecias dhe shoqëria civile, Vettingu duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, dhe tanimë është një fazë më delikate në Kuvend, për arsye që nevojitet që t’i kemi 2/3 e votave të deputetëve, përfshirë edhe 2/3 e votave të pakicës më qëllim që të kalojnë amandamentet kushtetuese, dhe kjo është e vetmja garancion juridik kushtetues, që secili që do t’i nënshtrohet këtij procesi, nuk mund ta prish një proces në të ardhmen në Gjykatën Kushtetuese, përkatësisht do të ofrohet një siguri juridike për ta”, tha tutje Zekaj.
E për deklaratat e kreut të KGjK-së Albert Zogajt që Vettingu është “fontanë dëshirash e ministres”, i quan të dëmshme për periudhën nëpër të cilën po kalon Kosova. Ai thotë se këto përplasje e dëmtojnë tej mase vendin.
“Kemi pasur një deklaratë të zotëri Zogajt, i cili e quajti si të tillë procesin e Vettingut, dhe ka filluar një luftë ndërmjet ministrisë së Drejtësisë dhe bartëseve gjyqësor dhe prokurorial, e që është e dëmshme për vetë procesin që është duke u zhvilluar në Kosovë, e sidomos për procesin më të rëndësishëm që po ndodh pas luftës, që është Vettingu”, u shpreh tutje Zekaj.
Drejtori ekzekutiv i organizatës “CLARD”, Anton Nrecaj, ka treguar për hapat që duhet ndërmarrë që ky proces të jetë efektiv.
Ai thotë se për t’u zbatuar i tëri, kërkohen ndryshime të kornizës ligjore, e të cilat duhen të marrin aminin e Kuvendit.
“Dërgimi i dosjes së procesit të Vettingut në Kuvend është kërkesë e partive tjera opozitare. I gjithë procesi duhet të vendoset nga propozimet që vijnë nga Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë. I njëjti nëse duhet të ketë ndryshime të kornizës ligjore natyrisht që ky proces nuk mund të fillojë së zbatuari pa kaluar në Kuvend sepse ndryshimi i kornizës ligjore autoritetin e ka vetëm Kuvendi i Kosovës. Në rast se kemi të bëjmë me ndryshime kushtetuese atëherë duhen 2/3 e deputetëve”, u shpreh ai.
“Qeveria si e vetme edhe pavarësisht që ka votat e mjaftueshme mirëpo nuk janë votat e mjaftueshme për të nisur këtë iniciativë. Nëse shkohet me ndryshime kushtetuese duhet edhe mbështetja e partive tjera opozitare. Pavarësisht që kemi insistuar që ky Vetting të jetë i thellë dhe që duhet të zgjasë nga krerët e sistemit të drejtësisë. Secili gjyqtar dhe prokuror t’i nënshtrohet procesit të Vettingut. Një opinion i tillë nuk është dhënë nga komisioni i Venecias sepse ata kanë konsideruar që duhet të bëhet një Vetting nga udhëheqësit e këshillit gjyqësor dhe prokurorial përfshirë edhe kryetarët e gjykatave, pra i pjesshëm”, u shpreh Nrecaj.
Përplasjet ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillave, Nrecaj i konsideron si të dëmshme për shtetin e Kosovës.
Nrecaj thotë se shkaku i dështimit në sistemin e drejtësisë, Kosova është e izoluar.
“Politikisht vetëm jemi dëmtuar. Mu për shkak të dështimit të sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit jemi vendi më i izoluar në Evropë. Natyrisht që Kosova ka dhënë sinjale por nuk ka qenë e mjaftueshme. Ne po ngelim prapa se në raport me bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë çdo humbje kohe na kushton sepse nuk kemi çfarë t’i ofrojmë më tepër BE. Çdo ditë kemi të rinj që gjejnë forma të ndryshme të largohen nga vendi. Akoma po tregojmë se nuk e kemi profesionalizmin t’i trajtojmë rastet dhe të fuqizojmë sundimin e rendit dhe ligjit”, thotë Nrecaj për EO.