Vetura e gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net”, Shkumbin Kajtazi, u bë cak i një sulmi me armë zjarri.
Gjuajtja me armë zjarri drejt veturës së Kajtazit ndodhi mbrëmë rreth mesnatës në një rrugë në qendër të qytetit të Mitrovicës, shkruan Reporteri.net.
Vetura është gjuajtur me shumë plumba, por shenja të dukshme janë 5 apo 6.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia e Kosovës, ku u gjetën disa predha të plumbit, të cilat kishin hyrë brenda veturës.
Një plumb është gjetur tek ulësja e shoferit, ndërkaq dy të tjerë në pjesën mbrapa. Po ashtu dy plumba të tjerë kanë goditur pjesë të jashtme të veturës.
Siç shihet nga fotografitë, vetura ka disa vrima nga plumbi: xhami është thyer, tavani dhe pjesa mbrapa janë shpuar.
Gazetari Kajtazi ka thënë se në momentin kur ndodhi ky sulm, ndodhej në një kafene të Mitrovicës.
Ky është sulmi i dytë ndaj tij, pasi që muaj më parë dikush tentoi që t’ia digjte veturën e njëjtë. (Reporteri.net)