Vetura kalon përmes “ishullit të këmbësorëve” në anën e kundërt të rrugës

Prishtinë | 20 Tet 2020 | 16:50 | Nga Ekonomia Online

Në rrugën “Idriz Seferi” në Gjilan, e cila është rrugë me katër korsi për qarkullim, janë të vendosura shenjat vertikale dhe horizontale mirëpo këto shenja nuk i kanë bërë përshtypje një shoferit i cili me makinën e tij përmes ishullit të këmbësorëve (pjesës gjelbëruese që ndan dy anët e rrugës) kalon në anën e kundërt të rrugës duke bërë një veprim të rrezikshëm në komunikacion.

Banorë të lagjes “Idriz Seferi” të cilët i kanë dërguar Kohës videon në kushte anonimiteti deklarojnë se kanë parë veprime të tilla edhe në të kaluarën nga shoferë tjerë të cilët janë treguar të papërgjegjshëm dhe kanë rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.

Ata kërkojnë angazhim të institucioneve për rritjen e sigurisë në këtë rrugë. Ndërkaq institucionet komunale deklarojnë se kanë përfunduar punën e tyre në këtë rrugë dhe ata hezitojnë që të vendosin pengesa në ishull të këmbësorëve.

Drejtori i shërbimeve publike, Naser Korça, thotë se me shkeljet e tilla në trafik duhet të merret policia.

“Ne i kemi vendosur të gjitha shenjat tash çfarë duhet të bëjmë më shumë. Me këto shkelje duhet të merret policia sepse është detyrë e tyre”, ka thënë ai.

Ndërkaq nga Policia Rajonale e Gjilanit deklarojnë se veprime të tilla do të ndëshkohen konform normave ligjore. Zëdhënësi i PK-së në Gjilan, Ismet Hashani deklaron se i kanë rekomanduar komunës që të gjendet një mënyrë e vendosjes së pengesave në ishullin e këmbësorëve.

“Sa i përket kundërvajtjes për të cilën flisni, mund të ketë ngasës të papërgjegjshëm por në momentin që hasen nga ana e policisë sigurisht se do të përgjigjen konform normave ligjore. Policia pikërisht për këtë rrugë kanë bërë rekomandim tek shërbimet komunale në Gjilan, zëvendësimin e shenjës për kufizim të shpejtësisë nga 30 km/h sa ka qenë në 50 km/h sa duhet të jetë. Poashtu është dhënë vërejtje pikërisht për vendkalimin në fjalë që të gjendet një mënyrë që të pengohet frekuentimi nga shoferë të papërgjegjshëm. Policia e Kosovës apelon vozitësit që të ju përmbahen normave ligjore dhe të parandalojmë aksidentet me humbje jete dhe dëme materiale”, ka thënë Hashani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme