Disenjatorja e modës Victoria Beckham ka falënderuar publikisht familjen e saj për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm në vizionin e saj, teksa është nderuar me një nga vlerësimet më prestigjioze kulturore në Francë.
51-vjeçare është shpallur “Kalorëse e Urdhrit të Arteve dhe Letërsisë” (Chevalière de l’Ordre des Arts et des Lettres) në një ceremoni të mbajtur në Paris, ka raportuar Vogue.
Kjo paraqitje ka shënuar edhe daljen e parë të përbashkët publike të familjes Beckham, pas postimit të bujshëm në Instagram nga djali i madh, Brooklyn Beckham, 26 vjeç, i cili javën e kaluar bëri të ditur se nuk ka dëshirë të pajtohet me familjen, mes raportimeve për një distancim të vazhdueshëm.
Në kryeqytetin francez, Victoria u shoqërua nga bashkëshorti i saj, ish-futbollisti i mirënjohur, David Beckham, si dhe nga fëmijët Romeo 23 vjeç, Cruz 20 vjeç dhe Harper 14 vjeçe.
Gjatë fjalimit ajo falënderoi institucionet franceze për nderimin, duke theksuar rëndësinë që Franca i jep modës si art.
“Dua ta nis duke falënderuar Ministrinë Franceze të Kulturës dhe ministren e Kulturës, zonjën Rachida Dati. Jam jashtëzakonisht mirënjohëse për këtë nder dhe për fjalët tuaja të ngrohta”, ka thënë Beckham.
Ajo ka shtuar se, ani se është krenare për origjinën e saj britanike, Franca mbetet një vend unik për mënyrën se si e trajton modën.
“Jam shumë krenare që jam britanike, por Franca është një nga të paktat vende ku moda trajtohet me seriozitetin që meriton, si një formë arti”, është shprehur ajo.
Ish-anëtarja e grupit muzikor, Spice Girls, ka theksuar se ky vlerësim nuk është arritje individuale, por rezultat i një pune kolektive shumëvjeçare.
“Kjo nuk është arritja e një personi të vetëm. Nga dizajni dhe atelierët, te prodhimi dhe komunikimi, janë shumë mendje dhe duar që punojnë së bashku. Ky vlerësim nuk është vetëm imi”, ka deklaruar ajo, duke falënderuar ekipin e brendit së saj të modës dhe kozmetikës për përkushtimin dhe kreativitetin.
Në fjalën e saj, Beckham nuk la pa përmendur edhe familjen.
“Faleminderit prindërve të mi dhe fëmijëve të mi, që gjithmonë kanë besuar në vizionin tim”, ka thënë ajo.
Pas ceremonisë, Victoria ndau edhe një mesazh emocional në Instagram, ku i rezervoi falënderime të veçanta bashkëshortit të saj, David, me të cilin është e martuar prej 26 vjetësh.
“Jam jashtëzakonisht e nderuar që jam shpallur ‘Chevalière de l’Ordre des Arts et des Lettres’ nga Ministria Franceze e Kulturës”, ka shkruar ajo.
Victoria ka theksuar edhe admirimin e saj të hershëm për estetikën franceze dhe mënyrën se si moda shihet si art.
“Gjithmonë e kam admiruar thellësisht estetikën franceze dhe seriozitetin me të cilin moda trajtohet si një formë arti. Të nderohesh këtu është një privilegj i madh dhe një reflektim i dekadave përkushtimi dhe pune”, ka shkruar ajo.
Në fund, ajo falënderoi ministren Rachida Dati, partnerët e saj të biznesit dhe familjen, duke veçuar bashkëshortin e saj.
“Faleminderit partnerëve të mi të biznesit që besuan tek unë, familjes sime dhe sidomos Davidit, bashkëshortit tim dhe investitorit tim të parë. Jam pafundësisht mirënjohëse, ti je gjithçka për mua”, ka përfunduar ajo.